Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshortja e tij janë kapur nga njësia elitare amerikane Delta Force, kanë deklaruar burime zyrtare për CBS News.
Sipas CBS, operacioni është kryer nga Delta Force, njësia më elitare e ushtrisë amerikane për operacione kundër terrorizmit dhe misione speciale me rrezik të lartë. Detaje të tjera mbi vendndodhjen dhe mënyrën e kapjes nuk janë bërë ende publike.
Më herët, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi në rrjetin e tij Truth Social se Shtetet e Bashkuara kanë kryer një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe se gjatë këtij operacioni është “kapur udhëheqësi i vendit, Presidenti Nicolás Maduro”, së bashku me bashkëshorten e tij, të cilët janë nxjerrë jashtë Venezuelës.
“Operacioni u krye në bashkëpunim me forcat ligjzbatuese amerikane. Detaje të mëtejshme do të pasojnë,” shkroi Trump.
Ai njoftoi gjithashtu se do të mbajë një konferencë për shtyp në orën 11:00, në rezidencën e tij Mar-a-Lago, ku pritet të japë më shumë informacion mbi operacionin.
Deri në këto momente, autoritetet venezueliane nuk kanë reaguar zyrtarisht.
