Zbulime të reja për princin e përjashtuar nga detyrat mbretërore, Andrew, dhe marrëdhëniet e tij me Jeffrey Epstein përfshihen në email-e të reja që kanë dalë në dritë.
Sipas “Mail on Sunday”, email-et tregojnë se Andrew ka pritur Epstein dhe katër gra në Pallatin Buckingham, në një periudhë kur mbretëresha Elizabeth ndodhej në Balmoral. Mes tyre ishte një modele e re nga Bukureshti, si edhe një tjetër grua nga Rusia.
Epstein e përshkroi gruan rumune, e cila ishte rreth 20 vjeçe, si “shumë e hijshme” dhe i tha se ishte “perfekte”, duke shtuar se edhe Andrew e kishte konsideruar “të bukur”.
Në një email drejtuar Andrew-t, pedofili i dënuar shkruante për mbrëmjen: “Shumë argëtuese, më shumë më vonë”. “Po, të lutem!”, ishte përgjigjja e princit të atëhershëm.
Ende nuk është e qartë nëse e reja rumune ka rënë viktimë e abuzimit seksual nga Jeffrey Epstein. Megjithatë, këto zbulime të reja kanë rindezur presionin ndaj Policisë Metropolitane për hapjen e një hetimi penal ndaj Andrew-t.
Njëkohësisht, shtrohen pyetje të reja mbi atë që dinin anëtarët e oborrit mbretëror për kontaktet e tij me Epstein dhe rrjetin e grave të reja që, sipas raportimeve, lëviznin brenda rezidencave mbretërore.
Autori i çështjeve mbretërore, Andrew Lownie, deklaroi se ekzistojnë “arsye të forta” që rasti të rishqyrtohet nga policia britanike. Sipas tij, Pallati Buckingham disponon lista vizitorësh dhe ka detyrimin të bashkëpunojë me autoritetet.
Këto zbulime i shtohen zinxhirit të zhvillimeve të shkaktuara nga dosjet Epstein, të cilat kanë vënë në shënjestër edhe figura të politikës britanike, përfshirë ish-ministrin dhe ambasadorin Peter Mandelson.
Çfarë tregojnë email-et?
Dokumente të Departamentit Amerikan të Drejtësisë tregojnë se Andrew kishte organizuar një darkë private me Epstein dhe tre gra në Pallatin Buckingham në shtator të vitit 2010, duke premtuar “privatësi të plotë”.
Darka u zhvillua pak më shumë se një vit pas lirimit të Epstein, i cili ishte dënuar për joshje të të miturave për prostitucion.
Sipas dokumenteve, gruaja rumune u shtua në listën e të ftuarve në momentin e fundit, pas një email-i që Epstein i dërgoi Andrew-t më 27 shtator 2010, ku kërkonte të “shtohej edhe një tjetër”, duke e përshkruar si “një rumune, shumë e hijshme”. “Asnjë problem”, ishte përgjigjja e Andrew-t.
Gruaja u takua fillimisht me Epstein në shtëpinë e Ghislaine Maxwell në Belgravia dhe më pas u dërgua me makinë në Pallatin Buckingham.
Kjo banesë është e njëjta ku Virginia Giuffre ka deklaruar se ka pasur marrëdhënie seksuale me Andrew-n në vitin 2001, akuza që ai i ka mohuar vazhdimisht.
Gruaja, e cila në atë kohë ishte 20 vjeçe, e kishte njohur Epstein në vitin 2008 në Bukuresht, kur ishte ende studente.
Sipas mesazheve, Epstein e ndihmoi financiarisht, duke i mbuluar ndër të tjera qiranë dhe shpenzimet dentare, si dhe dyshohet se ndërhyri për punësimin e saj në Mbretërinë e Bashkuar. Nga dokumentet nuk rezulton se çfarë ndodhi gjatë darkës.
Megjithatë, Epstein i shkroi Andrew-t në një email: “Shumë argëtuese”. Nga ana e saj, gruaja e përshkroi përvojën si “një herë në jetë”, duke e falënderuar financierin, i cili i kujtoi se për pak sa nuk e kishte refuzuar ftesën sepse nuk i pëlqenin xhinset që kishte veshur.
“Ishte perfekte dhe Andrew të konsideroi të bukur. Asnjë burrë nuk i sheh rrobat e tua, ata shohin përtej tyre”, i shkroi Epstein.


