Presidenti rus Vladimir Putin u ka propozuar luftëtarëve të Grupit Wagner që një mercenar i rangut të lartë, i quajtur Andrey Troshev, të marrë komandën e milicisë private, duke zëvendësuar rebelin Yevgeny Prigozhin.

Sipas komenteve që Putin bëri për gazetën Kommersant, rezulton se lideri i Kremlinit ka krijuar një ndarje në hierarkinë e mercenarëve të Wagner. Putin duket se po çimenton përpjekjet për të limituar pushtetin e shefit të tyre Yevgeny Prigozhin, që nga kryengritja e dështuar kundër Moskës që ky i fundit inicioi muajin e kaluar.

Gazeta raporton për një takim të mbajtur nga presidenti rus pesë ditë pasi rebelimi i Wagner u ndal fund të qershorit, takim ky, ku morën pjesë Prigozhin dhe disa dhjetëra luftëtarë me influencë brenda grupit.

Sipas Kommersant, midis zgjedhjeve të shumta për punësim që Putin i ofroi dhjetëra mercenarëve të Wagner-it në takim, njëra përfshinte vazhdimin e luftës nën komandantin e tyre të drejtpërdrejtë.

Ky njeri me profil të lartë është pikërisht Andrey Troshev, i cili njihet si ‘Sedoy’, që do të thotë burri me ‘flokët gri’.

“Mund të ishin mbledhur të gjithë në një vend dhe të vazhdonin të shërbenin. Asgjë nuk do të kishte ndryshuar për ta. Ata do të drejtoheshin nga i njëjti person që ka qenë komandanti i tyre i vërtetë gjatë gjithë kohës”, tha Putin.

“Dhe çfarë ndodhi atëherë?“, pyeti gazetari i Kommersant presidentin.

“Shumë njerëz tundën kokën [në mënyrë pozitive] kur iu thashë këtë”, u përgjigj Putin, duke lënë të kuptohet se mercenarët e Wagner janë dakord për një rokadë liderësh mes veti.

Por, kush është Andrey Troshev?

“Sedoy” është nofka e tij. Ai është një kolonel rus në pension dhe një anëtar themelues dhe Drejtor Ekzekutiv i grupit Wagner, sipas dokumenteve të sanksioneve të publikuara nga Bashkimi Evropian dhe Franca.

Sanksionet e Bashkimit Evropian në lidhje me situatën në Siri detajojnë pozicionin e Troshev si shef i shtabit të operacioneve të grupit Wagner në Siri, i cili mbështeti regjimin sirian.

Troshev ka lindur në prill 1953 në Leningrad, në ish-Bashkimin Sovjetik.

“Andrey Troshev është i përfshirë drejtpërdrejt në operacionet ushtarake të Grupit Wagner në Siri. Ai ishte veçanërisht i përfshirë në zonën e Deir ez-Zor. Si i tillë, ai dha një kontribut vendimtar në përpjekjet luftarake të Bashar al-Assad dhe për këtë arsye mbështeste dhe përfitonte nga regjimi sirian“, thuhej në deklaratën e sanksioneve të BE.

Sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar nga qershori 2022 thonë gjithashtu se “Andrey Nikolaevich Troshev ishte shefi ekzekutiv i grupit Wagner”.

“Prandaj, ai ka mbështetur regjimin sirian, ka qenë anëtar i një milicie dhe ka shtypur popullsinë civile në Siri”.

Një ndër bashkëpunëtorët e tij të ngushtë është themeluesi i Wagner, Dimitriy Utkin, i cili është gjithashtu një ish-oficer i inteligjencës ushtarake ruse GRU. Troshev është i lidhur gjithashtu me komandantët e grupit Wagner, Aleksandr Sergeevich Kuznetsov dhe Andrey Bogatov.

Ai është gjithashtu një ish-punonjës i njësisë speciale të reagimit të shpejtë të Distriktit Federal Veriperëndimor të Ministrisë së Brendshme Ruse dhe veteran i luftërave në Çeçeni dhe Afganistan.

Për shërbimin e tij në Afganistan, Troshev është dekoruar me dy Urdhra të Yllit të Kuq – një dekoratë e Bashkimit Sovjetik për shërbim të jashtëzakonshëm. Për shërbimin në operacionin në Çeçeni, atij iu dhanë dy urdhra Guximi dhe një medalje e Urdhrit të Meritës për Atdheun.