Një incident i rëndë ka tronditur opinionin publik në Itali, ku një burrë është kapur duke tentuar të gatuajë një mace të vrarë në një park fëmijësh, në mes të ditës. Ngjarja ndodhi në një park në qytetin Sarzana, ku dëshmitarët kanë njoftuar menjëherë autoritetet pas skenave të pazakonta dhe shqetësuese.

Burri kishte ndezur një zjarr të improvizuar pranë një këndi lojërash për fëmijë dhe po përpiqej të piqte trupin e një maceje gri. Ai u ndalua nga policia në vendngjarje, ndërsa vetë pretendoi se ishte i uritur. Megjithatë, autoritetet nuk kanë arritur të përcaktojnë nëse kafsha ishte vrarë prej tij apo ishte gjetur e ngordhur.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta nga organizatat për mbrojtjen e kafshëve, të cilat kërkojnë ndëshkim maksimal për akte të tilla. Policia ka bërë me dije se arrestimi i burrit ishte i përkohshëm dhe ende nuk është konfirmuar nëse do të ngrihen akuza zyrtare ndaj tij. Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.