Kardinalët kanë vendosur që konklava për të zgjedhur Papën e ri do të nisë më 7 maj. Vendimi vjen pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë të hënën e Pashkëve në moshën 88-vjeçare pas një goditjeje në tru.
Papa Françesku u përcoll të shtunën në Bazilikën e Santa Maria Maggiore, ku u varros në një varr të thjeshtë prej mermeri, sipas dëshirës së tij. Ceremonia madhështore e funeralit, e mbajtur në shkallët e Bazilikës së Shën Pjetrit, mblodhi krerë shtetesh, mbretër dhe qindra mijëra pelegrinë nga e gjithë bota.
Të dielën pasdite, disa nga kardinalët bënë homazhe në varrin e Papa Françeskut, ku mbi mermerin e bardhë lexohet thjesht “Franciscus”. Tani, me nisjen e konklavës, bota katolike pret me emocion zgjedhjen e udhëheqësit të saj të ri.
