Nëse vendi kërcënohet nga humbja e mëtejshme e sovranitetit në Bruksel
Kryeministri britanik, David Cameron, është shprehur pro mundësisë së mbajtjes së një referendumi për të ardhmen e Britanisë së Madhe në BE . Ai u tha konservatorëve euroskeptikë se është gati të thërrasë një referendum mbi marrëdhëniet e Britanisë me Bashkimin Europian, nëse vendi kërcënohet nga humbja e mëtejshme e sovranitetit në Bruksel. Veprimi i Kryeministrit vjen pasi ish-sekretari i Mbrojtjes, Liam Fox, po përgatitet t’u thotë aktivistëve konservatorë se rinegocimi i marrëdhënieve të vendit me BE-në është i domosdoshëm dhe se “jeta jashtë BE-së nuk është aq e tmerrshme”. Cameron është nën presion të vazhdueshëm nga deputetët për të mbajtur një referendum, pasi vendet anëtare të Eurozonës janë afër nënshkrimit të një traktati të plotë fiskal dhe politik, si përgjigje ndaj krizës që ka përfshirë monedhën e përbashkët europiane. Konservatorët thonë se marrëdhënia e Britanisë së Madhe me BE-në do të ndryshojë rrënjësisht dhe se një “bërthamë Europe” do të marrë formë. Komuniteti dhe roli i Britanisë së Madhe në të do të jetë ndryshe që tani e tutje. Pas ardhjes në pushtet nga 13 vjet opozitë në kohën e Tony Blair, konservatorët dhe Cameron kanë miratuar një ligj, sipas të cilit çdo transferim i pushteteve dhe kompetencave të reja nga Londra drejt Brukselit duhet bërë me referendum, ndërkohë që qeveria e tij refuzoi vitin e kaluar paktin e ri fiskal me BE-në. Në një konferencë për shtyp pas samitit dyditor të BE-së që përfundoi të premten, Cameron i zhgënjeu euroskeptikët në partinë e tij, me qëndrimin jo të vendosur për referendumin, por ai këmbënguli se kishte mbrojtur interesat e Britanisë së Madhe në samitin europian. Në samit, liderët e BE-së ranë dakord për përdorimin e fondit të përhershëm të shpëtimit për të mbështetur bankat e sëmura europiane. Kryeministri britanik këmbënguli se gjatë negociatave, ai kishte mbrojtur interesat e vendit. Megjithatë, në një artikull për “Sunday Telegraph”, Cameron shkon përtej, duke theksuar se traktatet e reja mund të ndikojnë në formën e Europës në të ardhmen dhe se një referendum mund të jetë i nevojshëm. Kryeministri tha se Britania po e ndien veten gjithmonë e më të “mbytur” me legjislacionin e BE-së dhe burokracitë, të cilat ai do të donte që t’i braktiste. Sipas tij, ndryshimet themelore në zhvillimet e BE-së që kërcënojnë sovranitetin e vendit nuk do të tolerohen nga populli britanik: “Për mua, dy fjalë, ‘Europë dhe referendum’ mund të shkojnë së bashku”. Rreth 100 deputetë konservatorë i shkruan një letër Kryeministrit britanik javën e kaluar, duke kërkuar që të mbahet një referendum mbi marrëdhëniet e Britanisë me BE-në në vitet e ardhshme. Kryeministri argumentoi se mbajtja e një referendumi nuk është zgjedhja e duhur tani, sepse “shumica e britanikëve” duan ndryshime në marrëdhëniet aktuale me BE-në, por jo daljen prej saj. Cameron argumenton në artikull se Europa po ndërhyn më shumë se sa duhet në jetën e britanikëve. “Fakti është se britanikët nuk janë të kënaqur me atë që ata kanë – dhe sinqerisht edhe unë nuk jam. E thënë thjesht, për ata si ne që janë jashtë Eurozonës ka shumë kosto, burokraci, ndërhyrje në çështjet që i përkasin vetë shteteve, shoqërisë civile apo individëve. Për mendimin tim, kjo është e tepërt”. Cameron, lideri i konservatorëve që “mishërojnë” euroskepticizmin, në fund të artikullit, thekson se përballë një Bashkimi Europian në evolucion të vazhdueshëm, Londra duhet të bëjë që të dëgjohet zëri i saj. “Duhet të presim hapat e mëtejshëm, ndoshta të tjera traktate, ku duhet të çojmë përpara interesat tona duke qëndruar jashtë një Europe federale”. E gjithë kjo, sipas Kryeministrit britanik, përfaqëson një perspektivë, ndërsa për momentin është e nevojshme të jemi “strategjikisht dhe taktikisht të durueshëm”.
Referendumi – Kryeministri britanik u tha konservatorëve euroskeptikë se është gati të thërrasë një referendum mbi marrëdhëniet e Britanisë me Bashkimin Europian
Qëndrimi – “Duhet të presim hapat e mëtejshëm, ndoshta të tjera traktate, ku duhet të çojmë përpara interesat tona, duke qëndruar jashtë një Europe federale”
Ndryshimet – Cameron argumentoi se mbajtja e një referendumi nuk është zgjedhja e duhur tani, sepse “shumica e britanikëve” duan ndryshime në marrëdhëniet me BE-në, por jo daljen prej saj