Kryeministri britanik thotë se do të bllokojë buxhetin e përbashkët
Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, duket se po përpiqet të marrë simpatinë e euroskeptikëve të shumtë të vendit të tij, duke kërcënuar Bashkimin Europian me bllokimin e buxhetit të përbashkët “në rast se del e nevojshme”. Bashkimi Europian sapo ka filluar bisedimet për buxhetin e tij të ardhshëm që do të zbatohet për periudhën 2014-2020. Cameron i tha BBC-së se sipas opinionit të tij, më vonë BE-ja duhet të përgatisë dy buxhete, një për vendet anëtare të Eurozonës dhe një për pjesën tjetër. Buxheti i përbashkët është një ide që synon të krijojë më shumë centralizim në Europë për të pasur një lidhje më efikase mes politikës monetare dhe asaj fiskale.
Vitin e kaluar, Cameron vuri veton ndaj traktatit të Bashkimit Europian për të koordinuar politikat buxhetore dhe për të vendosur penalitete për vendet që i shkelin rregullat. Më vonë, ai deklaroi se është i hapur ndaj idesë për të zhvilluar një referendum dhe për të nxjerrë Britaninë e Madhe nga Bashkimi Europian. Duke folur për mediat gjatë ditës së parë të konferencës së Partisë Konservatore, e forcoi qëndrimin e tij, duke deklaruar se “njerëzit në Europë e dinë se sa serioz jam mbi atë që them”.
“Unë qëndrova në tryezën me 27 vende, ku 26 prej tyre firmosën traktatin dhe unë thashë, ‘kjo nuk është në interes të Britanisë, mua nuk ma ndjen se sa presion bëni mbi mua, nuk do ta firmos dhe ju nuk do ta keni atë”, tha ai. “Ata e dinë se unë jam në gjendje të them jo dhe në rast se nuk arrij një marrëveshje të mirë, them jo sërish”, shtoi ai.
Sipas Cameron, interesi i tij është ndalimi i “rritjeve masive” të buxhetit, si dhe propozoi krijimin e dy buxheteve të ndara për të dalluar mes vendeve anëtare të Eurozonës dhe problemeve të tyre me monedhën e përbashkët dhe pjesën tjetër të Bashkimit Europian jashtë euros, ku bën pjesë Britania e Madhe. Sipas tij, vendet anëtare në Eurozonë do të duhet të mbështesin më shumë njëra-tjetrën, ndërsa vendet e tjera nuk kanë nevojë. Cameron thotë se një masë e tillë nuk do të arrihet këtë herë, por është drejtimi ku BE-ja duhet të shkojë.
Kryeministri britanik u tha mbështetësve se dëshironte një referendum për të ndryshuar rolin e vendit të tij në Europë, por jo një referendum me pyetjen e thjeshtë për anëtarësi apo jo.
“Fakti është se, besoj se shumica e njerëzve në vendin tonë nuk dëshirojnë të largohen nga Bashkimi Europian, por nuk dëshirojnë të pranojnë as formën aktuale të Bashkimit”, tha ai.
Konservatorët britanikë njihen veçanërisht për euroskeptikë dhe deklaratat e Cameron i drejtohen pikërisht këtij grupimi, raporton “Reuters”. Britania e Madhe është konsideruar përgjithësisht si “ishujt”, ndërsa identiteti europian në këtë vend është bërë i njohur vetëm gjatë Luftës së Parë Botërore.