Një histori e jashtëzakonshme njerëzore ka prekur miliona njerëz në mbarë botën, duke e kthyer një 88-vjeçar amerikan në simbol të forcës dhe shpresës. Bëhet fjalë për Ed Bambas, veteran nga Brighton, Michigan, i cili pas shërbimit në ushtri e ndërtoi jetën e tij me punë të ndershme në industrinë automobilistike, me bindjen se vitet e pleqërisë do t’i kalonte i qetë, falë kursimeve dhe pensionit.
Por rrëzimi financiar i General Motors në vitin 2009 i përmbysi të gjitha planet. Me mijëra punonjës humbën pensionet dhe sigurimet, dhe Bambas u gjend pa asnjë mbështetje ekonomike në një periudhë kur më shumë se kurrë kishte nevojë për stabilitet. Goditja më e madhe erdhi kur bashkëshortja e tij, Joan, u sëmur rëndë. Për të përballuar shpenzimet mjekësore, ai u detyrua të shiste shtëpinë e familjes. Pas vdekjes së saj në vitin 2018, ai mbeti vetëm dhe, pavarësisht moshës së thyer, iu desh të kthehej në punë me orar të plotë, thjesht për të siguruar të ardhurat minimale për jetesë.
Prej aty nisi gjithçka. Një video e tij në vendin e punës u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, duke prekur zemrat e njerëzve anembanë botës. Influencuesi australian Sam Weidenhofer, i prekur nga historia, vendosi ta takonte personalisht Bambasin dhe më pas hapi një fushatë GoFundMe. Ajo që filloi si një përpjekje modeste për t’i ofruar pak ndihmë, u shndërrua në një valë mbështetjeje ndërkombëtare, me mijëra kontribues që u bashkuan për t’i ndryshuar jetën veteranit.
