
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut përbëjnë 29.5% të popullsisë. Ky është rezultati i censusit final të realizuar nga qeveria maqedonase.
Shifra i përket popullsisë së përgjithshme, ndërsa popullsisë rezidente është afro 5 % më e ulët.
Bazuar në rezultatet e regjistrimit të mbajtur nga 5 deri më 30 shtator të vitit 2021, numri i përgjithshëm i popullsisë rezidente është 1,836,713 banorë.
Sipas këtyre të dhënave, nga numri i përgjithshëm i popullsisë rezidente: 58.44 për qind e tyre janë deklaruar maqedonas, 3.84 për qind turq, 2.53 për qind janë nga komuniteti rom , 0.47 për qind janë vllehë, 1.3 për qind serbë dhe 0.87 për qind janë deklaruar si boshnjakë.

Në bazë të të dhënave, nga regjistrimi i vitit 2002, numri i popullsisë shqiptare ka shënuar rënie për rreth një për qind në vitin 2021.
Enti Shtetëror i Statistikës të mërkurën më 30 mars, publikoi edhe numrin e përgjithshëm të popullsisë së regjistruar, që përfshin atë rezidente dhe jorezidente. Janë regjistruar gjithsej 2,097,319 persona dhe prej tyre; 54.21 për qind janë deklaruar maqedonas, 29.52 për qind shqiptarë, 3.98 për qind turq, 2.34 për qind nga komuniteti rom, 1.18 për qind si serbë, 0.98 boshnjakë dhe 0.44 vllehë.
Bazuar në të dhënat e Entit të Statistikës, popullsia rezidente në Maqedoninë e Veriut është ulur për 185 mijë njerëz apo në rreth 9 për qind në krahasim me regjistrimin e popullsisë në vitin 2002.
“Regjistrimi i popullsisë u realizua me sukses. Ne dëshmuam se mundemi dhe dimë të realizojnë regjistrim të popullsisë. Nëse më parë duheshin dy vjte për shpalljen e rezultateve, në këtë e bënë për gjashtë muaj, ashtu siç e kishim paraparë”, deklaroi drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, Apostol Simovski. Para kësaj, regjistrimin e fundit, Maqedonia e Veriut e kishte bërë në vitin 2002 dhe bazuar në të dhënat zyrtare, vendi atëherë numëronte 2 milionë banorë, prej tyre 25.17 për qind shqiptarë.
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të drejtat e tyre i realizojnë në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, që ishte arritur pas luftës së vitit 2001.
Për këtë cenus ka reaguar edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ku me anë të një statusi e cilëson si pasqyra më e mirë.
“Sot, Republika e Maqedonisë së Veriut pas 20 viteve ka një pasqyrë më të qartë sa i përket numrit të përgjithshëm të popullësisë dhe përqindjes së komuniteteve në vend. Shqiptarët janë 29.5% në popullësinë e përgjithshme dhe 24.3% në popullësinë rezidente, ndërsa në qytetin e Shkupit 22.8% (nga 20.04% në 2002). Përgëzoj të gjitha institucionet që ishin të përfshira dhe ndihmuan Regjistrimin si proces që filloi në muajin Mars të vitit të kaluar me diasporën e vendit e që përfundoi në Shtator me regjistrimin e popullatës në vend, proces dhe sfidë aspak e lehtë por që ia dolëm ta përfundojmë me sukses”, shkruan Ahmeti.





