Ceremonia e nënshkrimit të Bordit të Paqes, një iniciativë e krijuar nga presidenti amerikan Donald Trump për qeverisjen e Gazës pas fazës së luftës, do të mbahet në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos më 22 janar. Gazetari izraelit Barak Ravid ka shpërndarë në rrjetet sociale ftesën e presidentit Trump për liderët e vendeve të ftuara, ku pritet të zbulohet struktura e plotë e Bordit dhe anëtarët e tij.
Shqipëria është ftuar të bëhet pjesë e Bordit të Paqes për një mandat 3-vjeçar, me mundësinë e rinovimit, pa pasur nevojë të paguajë asnjë shumë financiare. Për të fituar statusin e anëtarëve të përhershëm, shtetet duhet të kontribuojnë me 1 miliard dollarë.
Bordi i Paqes ka dy struktura drejtuese kryesore: “Bordi Ekzekutiv Themelues”, që ka fokus në investime dhe diplomaci, dhe “Bordi Ekzekutiv i Gazës”, i cili do të mbikëqyrë administratën dhe punën në terren të Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG). Struktura e plotë e Bordit mbetet ende për t’u sqaruar.

