Autoritetet amerikane po përpiqen të zbulojnë se si Tyler Robinson, dikur një i ri me rezultate të shkëlqyera në shkollë, përfundoi i akuzuar për vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk në Utah.

Robinson, i rritur në një periferi të qetë të Utahut, njihej për notën mesatare perfekte 4.0 dhe u diplomua në vitin 2021 mes krenarisë së familjes, pasi kishte fituar një bursë të plotë nga Universiteti Shtetëror i Utah-ut. Por rrugëtimi i tij akademik përfundoi pas vetëm një semestri dhe ai nuk u rikthye më.

Nga konservator te mesazhet antifashiste

Ish-shokë klase tregojnë se në shkollë të mesme Robinson ishte një mbështetës i zjarrtë i Donald Trump, por vitet e fundit, sipas autoriteteve, ai duket se kishte ndryshuar qëndrim. Në vendin e ngjarjes policia gjeti gëzhoja të gdhendura me mesazhe antifashiste, të cilat po hetohen si provë të një motivi politik.

Një elektricist që punoi me të kohët e fundit e përshkroi si djalë të turpshëm, që fliste pak, ndërsa fqinjët e njihnin si “njeri normal” pa shenja të dukshme radikalizmi. Megjithatë, hetimet e para tregojnë se ai ishte bërë gjithnjë e më i politizuar vitet e fundit.

Mesazhi i vejushe së Charlie Kirk

Në të njëjtën kohë, Erika Kirk, bashkëshortja e viktimës, publikoi një videomesazh nga zyra e Turning Point USA. Midis lotësh, ajo premtoi se do të vazhdojë misionin e burrit të saj:

Charlie, të premtoj se nuk do ta lë kurrë trashëgiminë tënde të shuhet. Banditët nuk e dinë çfarë kanë bërë.

Ajo falënderoi ndihmësit, stafin dhe Shtëpinë e Bardhë për mbështetjen, duke kujtuar gjithashtu dashurinë e Kirk për dy fëmijët e tyre të vegjël.

Arrestimi dramatik

Sipas hetuesve, Robinson ia kishte pranuar fajin babait të tij dhe shprehu dëshirën të vetëvritej në vend që të dorëzohej. Babai, bashkë me një pastor mik të familjes, tentuan ta bindnin, përpara se të kontaktonin Marshallët e SHBA-së, të cilët e arrestuan të enjten mbrëma.

Pamjet e sigurisë e tregonin të armatosur në kampusin e Universitetit të Luginës së Utahut disa orë përpara atentatit. Guvernatori Spencer Cox konfirmoi se gjatë arrestimit Robinson kishte të njëjtat rroba si në kamerat e sigurisë dhe shtoi se familjarët e kishin përshkruar atë si gjithnjë e më të radikalizuar, sidomos pasi kishte mësuar se Kirk do të vinte në Utah.