Detaje të reja po dalin në dritë mbi informacionet që Izraeli dyshohet se kishte marrë përpara sulmit të Hamasit të 7 tetorit 2023. Sipas raportimeve të fundit, Egjipti kishte ngritur disa herë alarmin për rrezikun e një përshkallëzimi nga Gaza, përfshirë edhe në ditët e fundit përpara ofensivës.
“The Wall Street Journal” raporton se kreu i atëhershëm i inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamel, kishte kontaktuar zyrën e kryeministrit Benjamin Netanyahu në fillim të tetorit, duke përcjellë shqetësime për shenja të një sulmi të mundshëm.
Sipas të njëjtit raportim, paralajmërimet nga Kajro nuk u ndërprenë pas këtij kontakti. Autoritetet egjiptiane pretendohet se vijuan t’i përcillnin Izraelit shqetësimet e tyre deri rreth 48 orë përpara sulmit.
Sinjalet e para, megjithatë, kishin ardhur muaj më herët. Në qershor 2023, Egjipti kishte paralajmëruar për përkeqësimin e situatës në Gaza dhe kishte sugjeruar rifillimin e negociatave me Hamasin për çështjen e pengjeve dhe të burgosurve.
Në shtator, Kamel raportohet se udhëtoi drejt Izraelit, ku përcolli një tjetër paralajmërim për rrezikun e përshkallëzimit të situatës në Gaza. Sipas burimeve të cituara në raportime, zyrtarët izraelitë e kishin siguruar palën egjiptiane se situata ishte nën kontroll.
Asnjë prej këtyre paralajmërimeve, sipas raportimeve, nuk përmbante informacione konkrete për datën, orën apo përmasat e sulmit që Hamasi do të ndërmerrte më 7 tetor.
Raportet përmendin gjithashtu një tjetër sinjal që dyshohet se kishte mbërritur nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Presidenti Mohamed bin Zayed Al Nahyan raportohet se kishte komunikuar me Netanyahun në shtator dhe kishte ngritur shqetësime për mundësinë e një operacioni të madh të Hamasit.
Zyra e kryeministrit izraelit ka kundërshtuar raportimet për paralajmërimin egjiptian. Netanyahu ka mohuar se kishte zhvilluar një bisedë me Kamelin në muajt përpara 7 tetorit dhe se atij i ishte përcjellë një paralajmërim i tillë.
Raportimet e reja i shtohen debatit në Izrael mbi informacionet që institucionet politike dhe të sigurisë kishin në dispozicion përpara 7 tetorit dhe mënyrën se si ato u interpretuan në prag të sulmit.
