Për Kremlinin, rezultati më i dukshëm i kapjes nga Shtetet e Bashkuara të Nicolas Maduros të Venezuelës është se kjo përbën një goditje ndaj ndikimit rajonal të Rusisë dhe ndaj krenarisë së Vladimir Putinit: një aleat i rëndësishëm i cili në maj kishte nënshkruar një marrëveshje të “partneritetit strategjik” me presdientin rus, papritur u rrëzua nga pushteti dhe ndodhet në një burg në Qytetin e Nju Jorkut.

Kapja e Maduros ndodhi pak më shumë se një vit pas rënies së Bashar al-Assadit, udhëheqësit sirian i cili i kishte siguruar Rusisë një pozicion të fortë në Lindjen e Mesme në këmbim të mbështetjes vendimtare në luftën kundër kundërshtarëve të tij – një tjetër goditje e madhe për përpjekjet e Putinit për të ringjallur praninë e Moskës në botë pas tërheqjes që pasoi shembjen e Bashkimit Sovjetik.

Jo vetëm kaq, por bastisja e SHBA-së në Venezuelë më 3 janar arriti brenda pak orësh diçka që Rusia nuk ka mundur ta bëjë në gati katër vjet që kur Putini nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës dhe që shihej si një nga qëllimet e tij kryesore: largimin e një udhëheqësi shteti.