Udhëheqësi i grupit rebel të armatosur sirian, i cili rrëzoi regjimin e Asadit pas katër dekadash sundimi, ka folur n lidhje me situatën në vend por dhe marrëdhëniet me shtetet perëndimore.
Në një intervistë për Sky News, ai tha se vendet perëndimore nuk kanë pse të frikësohen nga fitorja e tij.
Abu Mohammad al Jolani, i cili tani kërkon të quhet me emrin e tij të lindjes Ahmed al Sharaa, tha se grupi i tij nuk kërkon konflikt të mëtejshëm dhe do të sjellë stabilitetin në Siri. Në një vizitë të improvizuar në xhaminë që ai frekuentonte si i ri në periferi të Damaskut, ai tha se njerëzit ishin “të lodhur” nga vitet e luftës. Ai vlerësoi përpjekjet e luftëtarëve të tij, të cilët, sipas tij, morën drejtimin e Sirisë pa asnjë mbështetje apo ndërhyrje të huaj.
Udhëheqësi i HTS është një ish-anëtar i Shtetit Islamik të Irakut dhe udhëhoqi grupin e degës së Al Kaedës në Siri, përpara se të ndërpresë lidhjet në vitin 2016. Jolani mbetet një terrorist i përcaktuar nga SHBA, por ai ka kaluar vite duke u përpjekur të distancohet nga lidhjet e tij të mëparshme me Al Kaedën. Ai thotë se ka hequr dorë nga e kaluara e tij si ekstremist dhe tani përqafon pluralizmin dhe tolerancën.
Përhapja e shpejtë e grupit të tij në të gjithë Sirinë ka ngjallur gjithashtu frikë në mesin e pakicave të tjera në vend, duke përfshirë kurdët, alavitët dhe të krishterët. Por Sharaa hodhi poshtë këto shqetësime.
“Burimi i frikës sonë ishte nga milicitë iraniane, Hezbollahu dhe regjimi që kreu masakrat që po shohim sot. Kështu që largimi i tyre është zgjidhja për Sirinë. Frika e tyre është e panevojshme. Frika ishte nga prezenca e regjimit të Assad. Shteti po ec përpara zhvillimit dhe rindërtimit. Po shkon përpara stabilitetit”, ka thënë ai.



