Departamenti amerikan i drejtësisë nuk do  të publikojë asnjë dokument të ri në lidhje me Jeffrey Epstein. Ky është vendimi i papritur që ka ardhur, pas premtimit të vetë Presdientit Donald Trump se do publikoheshin detaje mbi vdekjen e tij por edhe listën e personave që kanë vizituar ishulli ne tij.

 Sipas njoftimit, autoritetet kanë arritur në përfundimin se pedofili nuk është vrarë, por i ka dhënë fund jetës në burgun ku po mbahej, e po ashtu se nuk kishte një “listë klientësh”, që e përdorte për shantazh.

Jeffrey Epstein ishte një milioner, i njohur për lidhjet e tij me politikanë, biznesmenë dhe yje të show-biz. Ai është akuzuar nga dhjetëra viktima për abuzim seksual dhe u arrestua për herë të parë në vitin 2005, me akuzën se kishte paguar një 14-vjeçare për të kryer marrëdhënie seksuale. Për shkak të lidhjeve të forta që kishte me njerëz të pushtetshëm, Epstein arriti të mos kryente dënimin e plotë. Mirëpo, në korrik të vitit 2019, ai u arrestua në aeroport në New Jersey, kur po kthehej në Amerikë nga Franca. Ai kreu vetëvrasje vetëm disa javë më vonë, në gusht, pa arritur të paraqitej para trupës gjykuese, siç ishte planifikuar.

10 orë pamje nga kamerat e sigurisë në burg, tregojnë se askush nuk hyri në qelinë e Epstein në ditën kur ai vdiq, sipas departamentit të drejtësisë.

Shumë njerëz për vite me radhë, mes tyre figura mediatike të krahut të djathtë, kanë sugjeruar se qeveria po fsheh sekrete që lidhen me Epstein. Madje disa thanë se ai mbante një “listë klientësh” si shantazh kundër figurave të fuqishme që ai i ndihmoi të kryenin krime të ngjashme në ishullin e tij.

Pasi u konfirmua si prokurore e përgjithshme në fillim të këtij viti, Pam Bondi nuk i rrëzoi këto teori dhe mori direktivë nga presidenti Donald Trump për të thelluar hetime. Në bashkëpunim me Shtëpinë e Bardhë, Departamenti i Drejtësisë publikoi një seri dokumentesh që lidhen me hetimin e Epstein, megjithatë këto dokumente nuk përmbanin asnjë informacion të ri, ndryshe nga ato që publiku tashmë i di.

Në muajin maj, gjatë përplasjes së tyre publike, Elon Musk e akuzoi Trump se emri i tij ishte në dosjet Epstein dhe prandaj ato nuk bëhen publike. Megjithatë ish aleati i presidentit amerikan u tërhoq më vonë dhe tha se një deklaratë e tillë ishte e gabuar.