Rishfaqja e fashove në dorën e presidentit amerikan, Donald Trump, ka nxitur sërish spekulime të forta për gjendjen e shëndetit të tij, raporton CNN.

Shtëpia e Bardhë u nxit edhe një herë të sqarojë situatën, duke deklaruar sot se Trump mban fasho në dorë për të mbuluar mavijosjet që i shkaktohen nga shtrëngimet e shumta të duarve gjatë takimeve të përditshme në Zyrën Ovale dhe jo vetëm.

“Presidenti realisht shtrëngon duar gjatë gjithë kohës. Zyra Ovale është si një stacion qendror. Ai takon më shumë njerëz sesa mund ta imagjinoni çdo ditë. Ai gjithashtu merr çdo ditë aspirinë, siç tregojnë edhe ekzaminimet e tij klinike, gjë që mund të kontribuojë në këto mavijosje që shihni”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt, në një konferencë për mediat.

Kujtojmë se së fundmi Trump ka bërë të ditur se është diagnostikuar me “insuficiencë kronike venoze”, një gjendje që shkakton ënjtje në gjymtyrët e poshtme pasi venat e këmbëve nuk pompojnë gjakun në mënyrë efikase drejt zemrës.