Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, së bashku me Zonjën e Parë, Melania Trump, u pritën me ceremoni madhështore në Windsor Castle gjatë vizitës së tyre shtetërore në Britaninë e Madhe.

Çifti presidencial u prit nga Princi William dhe bashkëshortja e tij, Kate Middleton. E sipas një eksperti të leximit të buzëve, sapo Trump zbriti nga helikopteri iu drejtua Princit me fjalët: “Përshëndetje miku im, si je?”, e më pas u kthye nga Princesha e Uellsit: “Përshëndetje, bukuroshe”.

“Kënaqësi që ju shoh”, kanë qenë fjalët e para të Melania Trump dhe më pas pyeti Dukeshën e Cambridge: “Si jeni?”.

“Le të ecim së bashku”, vijoi biseda nga Princi William teksa vendosi dorën mbi shpinën e Kate, shkruan “The Sun”.

Gjatë kësaj bisede, presidenti amerikan i tha Princit se kishin shumë për të diskutuar dhe se kishte pasur shumë ndryshime që nga takimi i fundit. William, me humor, iu drejtua Kate: “I kanë munguar bisedat tona të vogla”.

Nga ana tjetër, një ekspert i gjuhës së trupit tha për mediat britanike se mes Mbretit Charles dhe Trump-it kishte një ngrohtësi të dukshme, ndërsa ata shfaqeshin duke qeshur dhe biseduar gjatë shëtitjes me karrocë në kopshtet e Windsor-it.

Procesioni ceremonial ishte nga më të mëdhenjtë e organizuar ndonjëherë në nder të një vizite shtetërore, me mbi 1,300 trupa të Forcave të Armatosura Britanike dhe 120 kuaj.