Çfarë janë ato?

Armët bërthamore janë bombat më të fuqishme në planet. Ato punojnë duke lëshuar me shpejtësi energjinë përmes zbërthimit nuklear, procesi I ndarjes së atomeve, ose në rastin e të ashtuquajturave bombat me hidrogjen, një kombinim i ndarjes me bashkimin.

Të parat dhe të vetmet armë bërthamore që janë përdorur ne një konflikt, ishin ato të shteteve të bashkuara, të hedhura ndaj qyteteve japoneze të Hiroshimës dhe Nagasakit në gusht të 1945-s.

Secila prej 2 bombave vra dhjetëra mijëra njerëz përmes një shpërthimit të vetëm, dhe më pas gati po aq njerëz humbën jetën si pasojë e rrezatimit që u shpërnda. Ato armë të para bërthamore ishin relativisht të vogla sa I përket fuqisë shpërthyese. Ndërsa bombat ishin relativisht bazike dhe të mëdha, duke goditur objektivët të lëshuar nga vionë, testatat moderne bërthamore të ditëve të sotme janë aq të vogla sa disa mund të futen edhe në majën e një rakete, dhe po ashtu janë mijëra herë më të fuqishme se bomba e Hiroshimës.

“Arma që shkatërroi Hiroshimën në vitin 1945 kishte një rendiment prej rreth 15 kilotonësh. Pra, sipas standardit të sotëm, ajo armë do të konsiderohej një kokë rakete me rendiment të ulët, edhe pse shkatërroi një qytet të tërë. Por sot, shumica e armëve zakonisht kanë rendiment prej disa qindra kilotonësh”, tha eksperti bërthamor amerikan, Hans Kristensen.

Cilat janë rregullat?

Traktati i mospërhapjes së armëve bërthamore, i cili hyri në fuqi në 1970 njeh 5 pjesëtarët e përhershëm të këshillit të sigurimit të kombeve të bashkuara; SHBA, Rusia, Britania e Madhe, Franca dhe Kina, si shtete bërthamore çka nënkupton se efektivisht ato janë të lejuara të kenë armatime të tilla. Të gjitha palët e tjera që kanë firmosur traktatin, zotohen të përdorin teknologjinë bërthamore vetëm për qëllime paqësore, por brenda rregullave kufizuese që i lejojnë ata të kenë të drejtën të zhvillojnë kërkime nukleare dhe të prodhojnë energji të tillë. Mbi bazën e traktatit të mospërhapjes së armëve bërthamore , të gjitha palët, përfshirë 5 anëtarët e përhershëm, angazhohen të zhvillojnë negociata në besim të mirë lidhur me masat efektive për çarmatosjen bërthamore….

“Duhet të mbani mend se në atë kohë, bombarduesit konvencionalë amerikanë kishin bombarduar qytete japoneze për muaj të tërë, e dini, qindra mijëra civilë ishin vrarë. Pra, për sa i përket shkatërrimit të qyteteve, nuk ishte një ndryshim i rëndësishëm. Ishte më shumë si – Ja një armë që mund të bëjë atë që u desh shumë, shumë bombarduesve për ta bërë më parë. Dhe pastaj, sigurisht, ndërsa gara e armëve bërthamore u zhvillua dhe armë të tjera bërthamore, edhe vendet e tjera filluan të zhvillonin armë bërthamore. Ne u futëm në këtë grumbullim të çmendur dhe në këtë garë dhe konkurrencë të armëve bërthamore me sovjetikët.”

Cilat vende i kanë ato?

Katër vende të tjera përveç 5 anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit kanë armë bërthamore ose besohet gjerësisht se i kanë ato. India testoi për herë të parë një armë bërthamore ne 1974, e ndjekur nga fqinji dhe rivali i ethshëm Pakistani në vitin 1998. Izraeli besohet gjerësisht se ka arsenal bërthamor por nuk pranon të komentojë lidhur me çështjen. Asnjë prej tyre nuk e ka nënshkruar traktatin për mospërhapjen e armëve bërthamore. Koreja e veriut është I vetmi vend që ka qenë pjesë e traktatit dhe vijoi të ndërtojë armë bërthamore. Në vitin 2003 njoftoi se do të tërhiqej prej tij, dhe në vitin 2006 zhvilloi testin e parë bërthamor.

“Janë nëntë vende që kanë këto armë bërthamore. Dhe, në masë dërrmuese po flasim për pothuajse 90% që janë në arsenalet e Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Këto dy vende janë ato që kanë deri tani më shumë armë bërthamore. Dhe kjo ka qenë gjithmonë kështu. Pra, një pjesë e kësaj është për shkak të përvojës së tyre me Luftën e Ftohtë, rolit dhe arsenaleve që zhvilluan në atë kohë, strategjive, etj., etj.. Do të duhej të biesh ndjeshëm përpara se të arrish në nivelin tjetër, dhe ajo është Kina, te paktën kështu mendojmë. Arsenalet bërthamore të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, përfshijnë diçka rreth 4300 armë bërthamore për Moskën. Shtetet e Bashkuara janë pak më poshtë, e kanë rreth 3700 armë bërthamore në arsenalin e tyre. Dhe të dyja këto vende kanë gjithashtu një numër të konsiderueshëm armësh të dala nga përdorimi që presin çmontimin. Pas Kinës, zbret në vende si Britania dhe Franca, të cilat kanë rreth 200, 250 deri në 300 armë bërthamore. Dhe kështu, vijmë te India dhe Pakistani. Ata kanë rreth 170 koka bërthamore secila. Dhe nga kjo, kalon te Izraeli, i cili mendojmë se mund të ketë pak më pak se 100, ndoshta 90 koka bërthamore. Dhe pastaj e fundit më e ulëta në listë është Koreja e Veriut. Mendojmë se ata kanë diçka rreth 50 kokave bërthamore.”

Çfarë ndodh më vonë?

Arabia Saudite ka thënë se nëse rivali i vet Irani do të siguronte armë bërthamore edhe ajo do të bënte të njëjtën gjë duke nxitur shqetësimet për një zgjerim të garës së armatimeve në një prej rajoneve më të paqëndrueshme në botë.

Irani aktualisht po pasuron uranium deri në 60% pastërti të zbërthyeshme, pranë 90% që është gradë për armë. Kjo alarmon fuqitë perëndimore, të cilat thonë se nuk ka asnjë justifikim civil për një uranium të pasuruar kaq shumë (HEU). Irani thotë se qëllimet e tij janë tërësisht paqësore, duke përmendur të drejtën e tij të patjetërsueshme sipas NPT-së.

Ndërsa Iranit do t’i duhej shumë pak kohë për të prodhuar uranium të mjaftueshëm për një bombë bërthamore, zhvillimi i vetë bombës do të zgjaste më shumë, dhe si IAEA ashtu edhe fuqitë perëndimore thonë se aktualisht nuk ka asnjë tregues se Irani po e bën këtë.

“Arsenalet bërthamore vazhdojnë të evoluojnë. Gjithmonë e bëjnë këtë. Kur vendet modernizohen, ato gjithmonë i përmirësojnë ato në një farë mënyre. Ndonjëherë ato prezantojnë lloje krejtësisht të reja armësh bërthamore.. Nëse shikoni shtetet e mëdha me armë bërthamore, si Rusia, Shtetet e Bashkuara, dhe në një farë mase Britania dhe Franca, ato kanë zhvilluar armë bërthamore që janë shumë të përparuara, shumë kompakte, shumë të afta. Sistemet e shpërndarjes gjithashtu, ato mund të arrijnë, në të gjithë botën. Ato, veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, kanë një gamë të gjerë arsenali armësh që janë projektuar për qëllime të ndryshme.”