Azilkërkuesit e refuzuar duhet të kthehen më shpejt. Kështu ka kërkuar koalicioni i CDU/CSU dhe Socialdemokratëve (SPD). Shifrat e këtij viti tregojnë se janë dëbuar më shumë njerëz nga Gjermania.
Gjermania ka rritur ndjeshëm këtë vit numrin e dëbimeve të refugjatëve pa leje qëndrimi. Nga janari deri në shtator, u deportuan 17.651 persona. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ky numër ishte 14.706, një rritje prej rreth një të pestës. Shifrat vijnë si përgjigje e qeverisë federale ndaj një pyetjeje nga Partia e Majtë në Bundestag, siç raportohet nga “Neue Osnabrücker Zeitung”, dhe agjencia e lajmeve dpa.
Kritika nga Partia e Majtë
Shumica e personave janë dëbuar në Turqi (1.614) dhe Gjeorgji (1.379). Pothuajse një në pesë të deportuar (3.095) ka qenë fëmijë ose adoleshent. Ekspertja e brendshme e Partisë së Majtë, Clara Bünger i kritikoi ashpër dëbimet. “Kur bëhet fjalë për rritjen e numrit të dëbimeve, autoritetet zor se kanë ndonjë tabu,” i tha ajo gazetës gjermane. “Dëbimet masive në një vend si Turqia, e cila shtyp të majtët, kurdët dhe anëtarët e opozitës? Me sa duket ky nuk është problem në kushtet aktuale politike në Gjermani.”
Dëbime së shpejti deportimet edhe në Afganistan?
Qeveria gjermane planifikon të dëbojë së shpejti kriminelët afganë në atdhe. Sipas Ministrit Federal të Brendshëm Alexander Dobrindt, negociatat midis Gjermanisë dhe talebanëve islamistë në lidhje me dëbimet në Afganistan janë drejt përfundimit. Bisedimet drejt marrëveshjes janë shumë të avancuara, theksoi Dobrindt.
Po trajtohen mundësitë për riatdhesime jo vetëm me fluturime me porosi, por edhe me fluturime të planifikuara. Kontaktet me talebanët janë të diskutueshme, pasi qeveria gjermane zyrtarisht nuk mban marrëdhënie diplomatike me islamistët, të cilët janë rikthyer në pushtet në Afganistan që nga gushti i vitit 2021. Talibanët janë të izoluar ndërkombëtarisht për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut, veçanërisht të drejtave të grave./ DW
