Kremlini ka njoftuar se presidenti rus Vladimir Putin do të vizitojë Kinen më 19 dhe 20 maj, në kuadër të një vizite zyrtare ku do të zhvillojë takime me presidentin kinez Xi Jinping.
Sipas deklaratës zyrtare, vizita do të zhvillohet me ftesë të Xi Jinping dhe në qendër të diskutimeve do të jenë forcimi i marrëdhënieve mes Rusisë dhe Kinës, si dhe zgjerimi i bashkëpunimit në fusha të ndryshme strategjike.
Dy liderët pritet të diskutojnë për ekonominë, energjinë, politikën ndërkombëtare dhe projektet e përbashkëta mes Moskës dhe Pekinit. Pas bisedimeve, pritet të nënshkruhen edhe disa marrëveshje bashkëpunimi.
Vizita e Putinit zhvillohet në një moment kur marrëdhëniet mes fuqive të mëdha janë në fokus të diplomacisë botërore. Ajo vjen pas vizitës së fundit të presidentit amerikan Donald Trump në Kinë, ku ai deklaroi se kishte arritur marrëveshje të rëndësishme ekonomike me Pekinin.
Takimi mes Putin dhe Xi pritet të konfirmojë edhe një herë afrimin e fortë mes Rusisë dhe Kinës, dy vende që vitet e fundit kanë zgjeruar ndjeshëm bashkëpunimin ekonomik, politik dhe strategjik.
