Mbrëmjen e së dielës, pasagjerët e fluturimit Prishtinë-Stamboll kanë përjetuar momente paniku, pasi avioni i tyre ka dalë nga pista pas aterrimit në aeroportin “Sabiha Gökçen” në Stamboll. Lajmi është konfirmuar nga Ambasada e Kosovës në Turqi, e cila ka siguruar se nuk ka të lënduar.
Sipas njoftimit, avioni i operuar nga kompania AJet, i tipit Boeing 737-800, realizoi fluturimin me numër TKJ76Q / VF102, dhe pas aterrimit ka dalë nga rruga e taksimit, duke u ndalur në skajin e pistës. Falë veprimeve të shpejta dhe efikase, të gjithë pasagjerët janë evakuuar në mënyrë të sigurt, pa pasur nevojë për përdorimin e rrëshqitësve emergjentë.
Incidenti ka ndodhur si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, që kanë bërë që avioni të dalë në terren të butë gjatë lëvizjes në pistë. Ambasada e Kosovës ka njoftuar se pasagjerët janë larguar nga aeroporti dhe kanë udhëtuar drejt destinacioneve të tyre pa pasur asnjë lëndim.
Si pasojë e incidentit, pistë e aeroportit “Sabiha Gökçen” u mbyll përkohësisht, duke shkaktuar vonesa të konsiderueshme në fluturimet e tjera. Disa avionë janë detyruar të ndryshojnë oraret e uljes. Ekipet emergjente dhe ato teknike të aeroportit kanë reaguar menjëherë dhe kanë mundësuar rikthimin e normalitetit në operim.
Kompania AJet e ka konfirmuar se aterrimi ishte i rregullt, por avioni doli nga pista për shkak të kushteve të motit, duke falënderuar gjithashtu ekipet e aeroportit për reagimin e shpejtë.
