Një drejtues motori pa tmerrin me sytë e tij teksa po lëvizte normalisht në korsinë e duhur në një rrugë provinciale në Greqi. Në një moment pa një kamion cisternë që po përpiqej të parakalonte, duke hyrë në korsinë e trafikut që vinte përballë.

Konkretisht, në një video që po qarkullon në internet shihet momenti kur drejtuesi i motorit i shmanget për një fije autobotit, në momentin e fundit.

I tronditur dhe i paaftë të besojë fatin e tij, ai bërtet: “Uau, çfarë po bën ky…!”. “Për pak sa nuk vdiqëm!”, shprehet ai i lehtësuar disa sekonda më vonë, pasi arrin të qetësohet disi.

Siç shihet në pamjet e regjistruara nga kamera e vendosur në kaskën e drejtuesit të motoçikletës, shoferi i autobotit parakalon një makinë gri, kalon vijën e dyfishtë dhe e fut mjetin e rëndë pothuajse tërësisht në korsinë e kundërt, duke mos marrë parasysh pasojat e këtij manovrimi.

Veçanërisht shqetësues është fakti se shoferi i autobotit e kishte nisur parakalimin në një kthesë, duke rritur ndjeshëm rrezikun për një aksident të rëndë. Është e qartë se, nëse nga drejtimi i kundërt do të vinte një makinë ose një mjet më i madh se motoçikleta, apo nëse drejtuesi i saj nuk do të kishte reaguar në mënyrë të menjëhershme, ngjarja mund të kishte përfunduar me viktima.

Videoja nuk tregon targën e shoferit të papërgjegjshëm dhe as nuk specifikon zonën ku ka ndodhur ngjarja. Megjithatë, bëhet fjalë për një rrugë provinciale me nga një korsi për secilin drejtim dhe pa barrierë ndarëse.