Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar një shpjegim të qartë dhe të plotë nga FBI-ja dhe Shërbimi Sekret lidhur me atentatin e ndodhur 16 muaj më parë në një tubim elektoral në Butler, Pensilvani. Ngjarja, e cila tronditi opinionin publik, ndodhi kur 20-vjeçari Thomas Matthew Crooks u ngjit në një çati afër vendit të fjalimit dhe qëlloi tetë herë me një armë të tipit AR-15 drejt Trump, duke e plagosur lehtë në vesh.
Gjatë sulmit, Crooks vrau pjesëmarrësin 50-vjeçar Corey Comperatore dhe plagosi rëndë dy të tjerë, përpara se të neutralizohej nga një snajper i Shërbimit Sekret. Por, pavarësisht hetimeve, pyetjet për motivet e tij dhe për reagimin e autoriteteve mbeten pa përgjigje.
Sipas një raporti investigativ, Crooks kishte lënë një gjurmë të gjerë dixhitale që tregonte për radikalizim politik dhe qëndrime ekstreme nga mbështetës i flaktë i Trump në vitin 2019, ai u kthye në kritik të ashpër të tij në fillim të vitit 2020. Komentet e tij në internet përfshinin kërcënime të drejtpërdrejta ndaj politikanëve, nxitje për dhunë dhe simpati për ideologjitë ekstremiste.
FBI-ja fillimisht deklaroi në Kongres se nuk kishte gjetur prova të ndonjë motivi politik apo ideologjik në historikun online të Crooks. Por dokumente të reja dhe të dhëna të siguruara nga burime private tregojnë se agjencia mund të ketë neglizhuar një pjesë të rëndësishme të aktivitetit të tij virtual. Në disa prej platformave ku ai ishte aktiv – përfshirë YouTube, Discord dhe Quora – Crooks kishte bërë komente të hapura ekstremiste dhe kërcënuese.
Përveç kësaj, hetimet zbuluan se ai kishte kontakte të mundshme me individë të lidhur me lëvizje neonaziste, si anëtarë të Lëvizjes Nordike të Rezistencës, e shpallur organizatë terroriste nga Departamenti i Shtetit amerikan. Pas këtyre ndërveprimeve, Crooks u zhduk nga rrjetet sociale deri në ditën e atentatit.
Kërkesat për transparencë janë shtuar, ndërsa kritikat ndaj FBI-së dhe Shërbimit Sekret për mënyrën e trajtimit të çështjes po rriten. Trump vetë ka deklaruar se është i pakënaqur me përgjigjet që i janë dhënë deri tani dhe ka kërkuar një hetim të plotë mbi mangësitë në sigurinë presidenciale dhe informacionet që, sipas tij, janë mbajtur të fshehta.
Autoritetet federale nuk kanë dhënë ende një koment të ri mbi këto zhvillime.
