Alarm në sistemin penitenciar grek, pasi pesë të burgosur janë gjetur të vdekur brenda pak javësh në burgun e Patrës, duke ngritur dyshime dhe shqetësime për kushtet e sigurisë dhe trajtimit në institucion.
Sipas burimeve policore, viktimat janë katër shtetas grekë dhe një algjerian, të moshave nga 34 deri në 55 vjeç. Ata janë gjetur pa shenja dhune në qelitë e tyre gjatë 28 ditëve të fundit.
Trupat janë transportuar në institutin e mjekësisë ligjore në Patra, ndërsa autoritetet presin rezultatet përfundimtare për të përcaktuar shkakun e vdekjeve. Deri më tani, vetëm një prej viktimave raportohet të ketë pasur probleme shëndetësore dhe të ishte nën trajtim mjekësor.
Rrethanat e ngjarjeve mbeten të paqarta, ndërsa fakti që trupat nuk kishin shenja dhune ka shtuar dyshimet për shkaqe të tjera që ende nuk janë bërë publike.
Më herët, sindikata e gardianëve të burgut “Agios Stefanos” kishte ngritur alarmin për situatën brenda institucionit, duke kërkuar hetim të plotë dhe ndërhyrje urgjente nga autoritetet.
Sipas tyre, në burgun e Patrës vuajnë dënimin rreth 700 persona, ndërsa kushtet e jetesës konsiderohen problematike. Klinika mjekësore e burgut raportohet se funksionon mbi kapacitet dhe nuk është në gjendje të përballojë siç duhet rastet emergjente.
Gardianët pretendojnë gjithashtu se në burg ndodhin shpesh përleshje dhe episode dhune mes grupeve kriminale, ndërsa armët e ftohta dhe droga futen lehtësisht brenda ambienteve të institucionit.
Ata theksojnë se mungesa e stafit ka rënduar më tej situatën, duke detyruar punonjësit të kryejnë orë të zgjatura pune dhe të heqin dorë nga pushimet javore.
Pas pesë vdekjeve të njëpasnjëshme, Ministria greke e Drejtësisë ka njoftuar nisjen e një hetimi urgjent, ndërsa një grup ekspertësh pritet të inspektojë nga afër gjendjen në burgun e Patrës.
