Një operacion i gjerë sigurie është zhvilluar pranë bazës ajrore RAF Fairford, në Gloucestershire të Britanisë së Madhe, pas një incidenti që ka çuar në evakuimin e banorëve të një zone përreth.

Policia lokale ka njoftuar se banorët e fshatit Uhelford janë larguar përkohësisht nga shtëpitë e tyre dhe janë strehuar në një qendër sportive, si masë parandaluese gjatë ndërhyrjes së autoriteteve.

Në kuadër të hetimeve, disa persona janë vënë në pranga. Ata dyshohen për shkelje që lidhen me legjislacionin britanik për lëndët dhe mjetet shpërthyese.

Në vendngjarje janë angazhuar gjithashtu specialistë të ushtrisë britanike për neutralizimin e eksplozivëve. Ekipet po kryejnë kontrolle të detajuara në disa automjete, ndërsa zona është rrethuar dhe hyrja në të është kufizuar.

Pavarësisht masave të shtuara të sigurisë, policia ka bërë të ditur se ngjarja konsiderohet e izoluar dhe se situata besohet të jetë nën kontroll. Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar natyrën e incidentit dhe rrethanat që çuan në ndërhyrjen e autoriteteve.

RAF Fairford është një bazë e Forcave Ajrore Mbretërore britanike, e cila përdoret gjithashtu nga Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara.