Përshkallëzimi i konfliktit me Iran dhe paraliza pothuajse totale e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit po shkaktojnë tronditje të forta në industrinë globale të aviacionit, duke rritur frikën për anulime masive fluturimesh dhe rritje të ndjeshme të çmimeve të biletave përpara sezonit veror.

Kriza ka sjellë mungesa serioze të karburantit për avionë në tregjet ndërkombëtare, pasi ndërprerjet në eksportet e naftës nga rajoni i Gjirit Persik po ndikojnë drejtpërdrejt në prodhimin e vajgurit dhe karburantit të aviacionit.

Rafineritë në Lindjen e Mesme nga ku vjen më shumë se 10% e prodhimit global të karburantit për avionë, po përballen me vështirësi të mëdha në transportimin e ngarkesave drejt tregjeve ndërkombëtare.

Çmimet e karburantit arrijnë nivele rekord
Që nga nisja e konfliktit, çmimet e karburantit për avionë janë rritur më shpejt se vetë nafta bruto. Në Europë, çmimet kanë kaluar nivelin e 200 dollarëve për fuçi, duke ushtruar presion të madh mbi linjat ajrore.

Për shkak të kostove në rritje dhe mungesës së furnizimit, shumë kompani ajrore kanë nisur anulimin e mijëra fluturimeve, kanë nxjerrë jashtë përdorimit avionët më të vjetër dhe me konsum të lartë karburanti, si dhe kanë rritur çmimet e biletave.

Ekspertët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet nëse konflikti vazhdon dhe transporti përmes Hormuzit mbetet i bllokuar.

Azia dhe Evropa ndër rajonet më të prekura
Azia konsiderohet rajoni më i goditur, pasi tradicionalisht përthith pjesën më të madhe të naftës që kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Sipas kompanisë Energy Aspects, prodhimi i karburantit për avionë dhe vajgurit në rafineritë aziatike ra në 2.9 milionë fuçi në ditë gjatë prillit, mbi 500 mijë fuçi më pak krahasuar me shkurtin.

Ndërkohë, edhe Evropa po përballet me presion të fortë, pasi disa rafineri janë mbyllur vitet e fundit për shkak të konkurrencës nga tregjet aziatike. Rreth 40% e karburantit të avionëve të konsumuar nga Bashkimi Europian importohet, ndërsa gati gjysma e tij kalon zakonisht përmes Ngushticës së Hormuzit.

Megjithatë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë paralajmëron se nëse Evropa nuk arrin të zëvendësojë më shumë se gjysmën e humbjeve nga Lindja e Mesme, rezervat e karburantit mund të arrijnë nivele kritike që në qershor, duke rrezikuar mungesa reale në aeroporte dhe një valë të re anulimesh fluturimesh.