Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka mbajtur një fjalim të fuqishëm gjatë tubimit vjetor të partisë së saj, ku ka theksuar nevojën për qëndrueshmëri dhe përgatitje të BE-së për sfidat e ardhshme të sigurisë, sidomos përballë mundësisë që administrata e Donald Trumpit mund të tërhiqet nga angazhimet e saj në Evropë.
Nga Castel Sant’Angelo në Romë, Meloni ka deklaruar se SHBA-të janë tërhequr gradualisht nga Europa dhe se europianët duhet të organizohen dhe të forcojnë aftësitë e tyre mbrojtëse për të mbrojtur veten. Ajo theksoi se për shumë vite, europianët kanë lënë sigurinë e kontinentit në duar të SHBA-ve, duke e konsideruar atë një “shërbim falas”, por tani kjo ka një çmim dhe ai çmim është kushtëzimi i lirisë.
“Trump ka theksuar me shumë vendosmëri se Shtetet e Bashkuara kanë ndërmend të shkëputen nga Europa. Kjo është një mundësi që duhet të marrim seriozisht dhe të përgatitemi për të.” tha Meloni.
Kryeministrja italiane hodhi poshtë pretendimet për një krizë të marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Bashkimit Europian, por njëkohësisht kërkoi që Europa të jetë më e fortë në aspektin mbrojtës dhe të jetë në gjendje të angazhohet me fuqitë globale në kushte të barabarta.
Meloni ka theksuar se përderisa europianët kanë qenë të mbështetur në mbrojtjen e SHBA-ve për tetëdhjetë vjet, tani është koha që ata të ndërmarrin një hap të madh për të forcimin e strukturave të mbrojtjes, për t’u bërë më të pavarur dhe më të gatshëm për të përballuar sfidat e sigurisë që mund të vijnë në të ardhmen.
Në një moment ku BE-ja po përballet me sfida të brendshme dhe jashtë, si dhe me pasiguri për angazhimet e SHBA-ve në rajon, apeli i Melonit për një strukturë mbrojtëse më të fuqishme, të udhëhequr nga Europa, ka marrë një peshë të veçantë.
