Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi që synon t’i japë fund konfliktit që ka përfshirë Lindjen e Mesme prej muajsh.

Nënshkrimi i dokumentit u zhvillua në Pallatin e Versajës, pranë Parisit, ku Trump po merrte pjesë në aktivitetet e Samitit të G7. Presidenti amerikan kishte bërë të ditur më herët se marrëveshja paraprake mes palëve ishte arritur më 14 qershor.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin e nënshkrimit të memorandumit, ndërsa Trump dëgjohet të thotë: “Kjo nuk ishte e lehtë”.

Sipas marrëveshjes, SHBA-ja dhe Irani do të kenë një afat prej 60 ditësh për të negociuar dhe finalizuar një traktat gjithëpërfshirës, me mundësi zgjatjeje nëse të dyja palët bien dakord.

Megjithatë, kreu i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi se dështimi i negociatave mund të sjellë rikthimin e veprimeve ushtarake.

“Nëse nuk bëhet brenda 60 ditësh, kjo është në rregull. Ne kthehemi te bombardimet”, deklaroi Trump para gazetarëve.

Ai shtoi se preferon një zgjidhje diplomatike, por theksoi se SHBA-ja nuk do të lejojë në asnjë rrethanë që Irani të sigurojë armë bërthamore. “Nuk dua ta bëj këtë, sepse është shumë mirë, por mund të na duhet, sepse nuk do t’i lejojmë kurrë ata të kenë një armë bërthamore”, u shpreh presidenti amerikan.