Një norvegjez ka paraqitur një ankesë pasi ChatGPT i tha në mënyrë të rreme se kishte vrarë dy nga djemtë e tij dhe ishte burgosur për 21 vjet. Arve Hjalmar Holmen ka kontaktuar Autoritetin Norvegjez të Mbrojtjes së të Dhënave dhe ka kërkuar që krijuesi i chatbot-it, OpenAI, të gjobitet. Holmen thotë se kjo është shumë e dëmshme për të. Atij iu dha informacioni i rremë pasi ai përdori ChatGPT për të kërkuar: “Kush është Arve Hjalmar Holmen?”. Përgjigja që ai mori nga ChatGPT përfshinte: “Arve Hjalmar Holmen është një individ norvegjez që fitoi vëmendjen për shkak të një ngjarje tragjike”. “Ai ishte babai i dy djemve të rinj, të moshës 7 dhe 10 vjeç, të cilët u gjetën tragjikisht të vdekur në një pellg pranë shtëpisë së tyre në Trondheim, Norvegji, në dhjetor 2020”.
Grupi i të drejtave digjitale Noyb, i cili ka depozituar ankesën në emër të tij, thotë se përgjigjja që ChatGPT i dha atij është shpifëse dhe thyen rregullat evropiane të mbrojtjes së të dhënave rreth saktësisë së të dhënave personale. Noyb tha në ankesën e tij se Holmen “asnjëherë nuk është akuzuar apo dënuar për ndonjë krim dhe është një qytetar i ndërgjegjshëm”.
ChatGPT përmban një paralajmërim që thotë: “ChatGPT mund të bëjë gabime. Kontrollo informacione të rëndësishme”. Por Noyb thotë se kjo është e pamjaftueshme. “Ju nuk mund të përhapni vetëm informacione të rreme dhe në fund të shtoni një sqarim të vogël duke thënë se gjithçka që thatë mund të mos jetë e vërtetë”-ka thënë avokati i Noyb, Joakim Söderberg.
Kompania që qëndron pas ChatGPT ka zbuluar se ka zhvilluar një model me Inteligjencë Artificiale që është i mirë në shkrimin kreativ. “Ne trajnuam një model të ri që është i mirë në shkrimin kreativ”-tha shefi i OpenAl, Sam Altman. Bëhet e ditur se sistemet me AI si ChatGPT janë subjekt i një beteje ligjore midis kompanive të AI dhe industrive krijuese, sepse modelet e tyre themelore janë “trajnuar” në grupe të dhënash të disponueshme publikisht, duke përfshirë materiale të mbrojtura nga të drejtat e autorit, si romanet dhe gazetaria.




