Agjencia Qendrore e Inteligjencës së SHBA-së (CIA) ka intensifikuar përpjekjet për të rekrutuar burime brenda ushtrisë kineze, në kuadër të strategjisë së saj për të forcuar mbledhjen e inteligjencës ndaj Kinës.
Së fundmi, agjencia ka publikuar një video promocionale ku paraqitet një oficer i ushtrisë kineze i zhgënjyer nga sistemi dhe drejtuesit e tij, duke sinjalizuar synimin për të tërhequr individë të pakënaqur nga strukturat shtetërore dhe ushtarake të Pekinit.
Kjo nismë vjen pak javë pasi një prej zyrtarëve më të lartë ushtarakë në Kinë u vendos nën hetim, ndërsa Uashingtoni e konsideron Pekinin rivalin e tij kryesor strategjik. Fushata aktuale pason një tjetër iniciativë të ndërmarrë vitin e kaluar, kur CIA publikoi video në gjuhën kineze me personazhe të trilluar nga radhët e Partisë Komuniste, duke ofruar udhëzime se si mund të kontaktohej në mënyrë të sigurt agjencia amerikane.
Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, ka deklaruar se materialet e publikuara kanë arritur një audiencë të gjerë brenda Kinës dhe se përpjekjet për të siguruar burime të reja informacioni do të vijojnë. Sipas tij, zyrtarëve kinezë u jepet mundësia të bashkëpunojnë për një të ardhme më të mirë.
Një zyrtar i CIA-s, në kushte anonimiteti për Reuters, ka pohuar se videot e mëparshme janë ndjekur nga miliona persona dhe kanë prodhuar kontakte të reja, pa dhënë detaje specifike.
Raportimet tregojnë se SHBA ka shtuar investimet për të rindërtuar rrjetin e saj të inteligjencës në Kinë, pasi në fillim të viteve 2010 Pekini goditi rëndë burimet amerikane, duke arrestuar ose ekzekutuar disa prej tyre.
Nga ana tjetër, autoritetet kineze kanë akuzuar vazhdimisht shërbimet amerikane për përpjekje spiunazhi, ndërsa kanë bërë publike raste që sipas tyre zbulojnë rrjete të inteligjencës së huaj në territorin e Kinës.
