Në rrugicat e mbuluara me dëborë të Davosit, vëmendjen këtë vit nuk e tërhoqën vetëm politikanët dhe biznesmenët, por edhe një paraqitje e papritur: ish-drejtuesi i Google, Eric Schmidt, 70 vjeç, u shfaq publikisht në shoqërinë e Gloria-Sophie Burkandt, 27 vjeçe, figurë e njohur në Gjermani. Ajo njihet si modele dhe influencuese, por edhe si vajza e Markus Söder, një nga politikanët më të fuqishëm në Bavari.
Prania e tyre në eventet e Davosit u bë menjëherë lajm, aq sa tabloidi gjerman Bild e vendosi historinë në faqen e parë, duke theksuar se marrëdhënia e tyre nuk është e re. Sipas raportimeve, dyshja ka kaluar një pjesë të konsiderueshme të muajve të fundit duke udhëtuar mes SHBA-së, Indisë dhe destinacioneve në Paqësor. Edhe vetë Gloria-Sophie nuk e ka fshehur këtë afërsi, duke ndarë herë pas here momente nga udhëtimet e saj në rrjetet sociale.
Schmidt mbetet një nga figurat më të rëndësishme të teknologjisë globale, me një pasuri që vlerësohet në dhjetëra miliarda dollarë dhe me ndikim të konsiderueshëm edhe në qarqet politike amerikane. Ai vazhdon të jetë zyrtarisht i martuar me Wendy Schmidt, bashkëshorten e tij prej më shumë se katër dekadash, me të cilën ende shfaqet në aktivitete publike. Megjithatë, mediat amerikane kanë shkruar prej kohësh se çifti jeton një marrëdhënie më pak tradicionale, ku të dy gëzojnë liri personale.
Në shtypin amerikan është përfolur shpesh për lidhjet e Schmidt me gra më të reja, ndonëse burime pranë tij kanë pretenduar se këto histori rrallë kanë qenë marrëdhënie serioze. Një romancë e mëparshme e tij, ajo me Michelle Ritter, përfundoi pas disa vitesh me një proces gjyqësor.
Përtej jetës private, Schmidt ka qenë i lidhur ngushtë edhe me politikën amerikane, duke bashkëpunuar ndër vite me figura të rëndësishme, mes tyre Henry Kissinger, me të cilin ka shkruar për ndikimin e inteligjencës artificiale në të ardhmen e politikës dhe sigurisë. Ai ka luajtur gjithashtu rol kyç në strategjinë digjitale të fushatës së Barack Obamës, duke ndihmuar në përdorimin e teknikave të reja të targetimit online të votuesve në shtetet vendimtare.
Ndërkohë, Gloria-Sophie Burkandt është rritur nën hijen e një prej politikanëve më të njohur gjermanë. Babai i saj, Markus Söder, drejton CSU-në bavareze dhe mbetet një figurë dominuese në politikën rajonale, i njohur për stilin e tij teatral dhe aftësinë për të dominuar skenën publike, madje edhe për kostumet e tij të famshme në karnavale.
Për vajzën e tij, rruga personale nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Ajo ka jetuar për një kohë në New York, ka ndjekur studime në SHBA dhe ka ndërtuar karrierë si modele, duke u përfshirë edhe në aktivitete bamirësie që mbështesin arsimimin e fëmijëve. Megjithatë, ajo është bërë objekt diskutimesh edhe për paraqitjen e saj në një reality-show gjerman, ku performanca e saj nuk u vlerësua pozitivisht dhe ku pati vështirësi në pyetje elementare të kulturës së përgjithshme dhe politikës.
Sipas mediave, ajo nuk e kishte paralajmëruar të atin për pjesëmarrjen në atë program, ndonëse marrëdhënia mes tyre mbetet e afërt. Ndërkohë, Söder dhe Schmidt njihen prej vitesh, pasi miliarderi amerikan merr rregullisht pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, e cila zhvillohet çdo vit. Mbetet për t’u parë nëse dy burrat do të takohen këtë vit — dhe në çfarë rrethanash.
