Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Pire të Greqisë, ku dy të rinj u gjetën pa shenja jete brenda një automjeti të parkuar në garazhin e një banese.
Sipas mediave greke, viktimat janë një 28-vjeçar dhe një 27-vjeçare. Ata u zbuluan nga babai i të riut, i cili, sapo i gjeti në makinë, njoftoi menjëherë shërbimet e emergjencës.
Në vendngjarje mbërritën ekipet e urgjencës së EKAB-it, por mjekët vetëm sa konstatuan vdekjen e dy të rinjve.
Nga këqyrja paraprake e kryer nga mjeku ligjor nuk janë evidentuar shenja dhune apo dëmtime të jashtme në trupat e viktimave, duke bërë që hetuesit të përqendrohen te shkaqe të tjera të mundshme.
Dyshimet e para lidhen me helmimin nga monoksidi i karbonit. Sipas informacioneve paraprake, automjeti dyshohet se kishte motorin dhe sistemin e kondicionimit në funksion, ndërsa garazhi ku ndodhej ishte i mbyllur.
Hetuesit po verifikojnë nëse gazrat e prodhuar nga motori kanë depërtuar në kabinën e automjetit përmes sistemit të ventilimit ose kondicionimit, duke shkaktuar humbjen e vetëdijes dhe më pas vdekjen e çiftit.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa shkaku zyrtar i vdekjes do të përcaktohet pas përfundimit të ekspertizës mjeko-ligjore.
