Cikloni ‘Gabriel’ ka goditur sërish Zelandën e re duke shkaktuar paraprakisht 7 persona të vdekur. Mediat e huaja raportojnë se zyrtarët besojnë se numri i viktimave do të vazhdojë të rritet pasi shërbimet e urgjencës ende nuk kanë kontaktuar me qindra vendbanime.
“Duhet të përgatitemi për faktin se ndoshta do të ketë më shumë vdekje në të gjithë vendin. Dhe ne nuk do ta dimë shtrirjen e vërtetë të kësaj për ca kohë”, tha kryeministri i Zelandës së Re Chris Hipkins – raporton Reuters.
Cikloni ‘Gabriel’, i cili goditi veriun e Zelandës së Re, i detyroi njerëzit në zonat e prekura të largoheshin me not nga shtëpitë e tyre të përmbytura për të shpëtuar veten. Qeveria e Zelandës së Re ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë vendin, gjë që ka ndodhur vetëm për herë të tretë në historinë e vendit.
Numri i të vdekurve u rrit brenda natës pasi një tjetër zjarrfikës vullnetar, Craig Stevens, i cili u kap në një rrëshqitje dheu pranë Auckland në fillim të kësaj jave, vdiq në spital. Komunikimi dhe aksesi në shumë zona mbetet i vështirë, dhe fluturimet e vëzhgimit po kryhen për të vlerësuar dëmet dhe për të identifikuar ata që mund të jenë prerë nga stuhia. Karvanët e kamionëve që transportonin ushqime, ujë, ilaçe dhe karburant lëvizin në zona të largëta dhe forcat e mbrojtjes përdorin anije për të transportuar gjërat thelbësore në zonat në bregun lindor.