Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka njoftuar se po i jep fund menjëherë të gjitha negociatave tregtare me Kanadanë, pas publikimit të një reklame që ai e cilësoi “fyese” ndaj Shteteve të Bashkuara, raporton BBC.

Në një postim në platformën “Truth Social”, Trump shkroi se Kanadaja kishte transmetuar një spot në të cilin ish-presidenti, Ronald Reagan, fliste në mënyrë kritike për tarifat doganore.

“Bazuar në sjelljen e tyre të papranueshme, TË GJITHA NEGOCIATAT TREGTARE ME KANADANË NDALOHEN MENJËHERË”, shkroi presidenti amerikan të enjten mbrëma.

Sipas mediave amerikane, Trump ka vendosur një tarifë prej 35% mbi importet kanadeze, megjithëse disa mallra që bien nën marrëveshjen e tregtisë së lirë USMCA (mes SHBA, Meksikës dhe Kanadasë) do të përjashtohen nga masa.

Trump tha se videoja, e sponsorizuar nga qeveria e Ontarios, ishte krijuar për të “ndikuar” në një vendim të ardhshëm të Gjykatës së Lartë të SHBA-së, që pritet në nëntor, lidhur me ligjshmërinë e tarifave të reja amerikane.

Ky vendim gjyqësor pritet të jetë një nga testet më të rëndësishme për autoritetin presidencial të Trump dhe politikën e tij ekonomike, pasi mund të detyrojë qeverinë amerikane të rimbursojë miliarda dollarë të mbledhura përmes tarifave.