Franca njoftoi të enjten, më 25 shtator, sekuestrimin e rreth 9.6 tonë kokainë me vlerë tregu afërsisht 519 milionë euro, nga një anije peshkimi në brigjet e Afrikës Perëndimore.
Operacioni u krye të hënën nga dy anije të marinës, pas informacioneve të dhëna nga autoritetet antidrogë, inteligjenca detare dhe policia britanike, thanë autoritetet e zonës së Atlantikut veriperëndimor. Sekuestrimi është pjesë e misionit detar francez Corymbe, i vendosur në Gjirin e Guinesë që nga viti 1990 për sigurinë tregtare dhe kundërpiraterisë.
Prefektura e Atlantikut Detar bëri me dije se anija nuk rezulton e regjistruar në ndonjë shtet. Nuk u dha informacion për fatin e ekuipazhit; në raste të ngjashme droga shkatërrohet, ndërsa anija lejohet të vazhdojë më pas lundrimin.
Sipas autoriteteve, ky është një tjetër aksion i madh në një seri të sekuestrimeve: deri në fund të gushtit marina franceze kishte konfiskuar rreth 6 tonë kokainë në të njëjtin rajon, dhe në total mbi 45 tonë droga janë kapur gjatë vitit 2025 — një shifër rekord, sipas Admiralit Nicolas Vaujour, Shef i Shtabit Detar.