Linja ajrore amerikane me kosto të ulët Spirit Airlines ka nisur ndërprerjen e operacioneve, duke pezulluar menjëherë fluturimet dhe duke ndalur shërbimet për klientët, në një zhvillim që pritet të prekë miliona pasagjerë në SHBA dhe më gjerë.
Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare lidhur me procesin e falimentimit, kompania bëri të ditur se aktiviteti i saj po mbyllet në mënyrë të organizuar, ndërsa të gjitha fluturimet janë anuluar me efekt të menjëhershëm.
Pasagjerëve që kishin planifikuar të udhëtonin me Spirit u është kërkuar të mos paraqiten në aeroporte dhe të kërkojnë alternativa te kompani të tjera ajrore.
“Jemi krenarë për ndikimin që modeli ynë ultra low-cost pati në industrinë ajrore gjatë më shumë se tre dekadave”, thuhej në reagimin e kompanisë, e cila shprehu keqardhje për situatën.
Mediat amerikane raportojnë se vështirësitë financiare të kompanisë u përkeqësuan nga rritja e kostove të karburantit dhe dështimi i negociatave për një paketë shpëtimi financiar.
Sipas raportimeve, bisedimet mes kompanisë, administratës së Donald Trump dhe kreditorëve kryesorë nuk arritën një marrëveshje finale.
Një nga pikat kryesore të kundërshtimit lidhej me strukturën e paketës së shpëtimit, e cila thuhet se do t’i jepte qeverisë amerikane kontroll të madh mbi aksionet e kompanisë.
Mbyllja e Spirit Airlines pritet të ketë ndikim të madh në tregun ajror amerikan, jo vetëm për shkak të anulimit të mijëra fluturimeve, por edhe për efektet që mund të sjellë në rritjen e çmimeve të biletave.
Ndërkohë, rreth 17 mijë punonjës të kompanisë rrezikojnë të humbasin vendet e punës pas ndërprerjes së operacioneve.
