Menjëherë pas raportimit se presidenti amerikan Donald Trump kishte gati një strategji të re për një raund tjetër sulmesh ndaj Iranit, çmimet e naftës kanë pësuar një rritje të ndjeshme në tregtinë globale. Konkretisht mësohet se çmimi i naftës së papërpunuar Brent është rritur afro 0.6%, që përkthehet në rreth 92 dollarë për fuçi. Po ashtu, raportohet se tregjet globale të obligacioneve u vunë nën presion këtë javë, pasi çmimi i naftës u rrit ndjeshëm në mbarë botën.

Mediat e huaja raportojnë se ushtria amerikane ka krijuar në heshtje një korridor detar brenda dhe jashtë Ngushticës së Hormuzit për të transportuar miliona fuçi naftë nga Gjiri Persik çdo ditë. Lajmi është bërë i ditur nga dy zyrtarë amerikanë të cilët në një prononcim të dhënë për Axios, kanë zbuluar se çdo natë 15 deri në 20 anije cisternë nafte hyjnë dhe dalin nga Ngushtica e Hormuzit përmes një kanali detar jugor përgjatë bregdetit të Omanit. Afro 10 milionë fuçi naftë në ditë, rreth gjysma e vëllimit të tregtuar para luftës, raportohet se tregtohet aktualisht nga Ngushtica dhe kanalizohen në tregun global të energjisë.