Presidenti amerikan Donald Trump ka propozuar një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, që do t’i lejonte presidentit rus Vladimir Putin të mbajë shumicën e territoreve të pushtuara nga viti 2022. Propozimi përfshin disa kushte të ndjeshme, përfshirë njohjen de facto të kontrollit rus mbi Krimenë dhe pjesë të tjera të Ukrainës lindore.
Sipas planit të bërë publik nga burime diplomatike, Rusia do të detyrohej të ndalojë avancimin ushtarak duke ngrirë vijën aktuale të frontit, por do të lejohej të mbajë shumicën e territoreve të pushtuara. Ukraina do të rifitonte akses të pakufizuar në grykëderdhjen e lumit Dnieper dhe një pjesë të vogël të rajonit të Khersonit, ku Rusia do të tërhiqej.
Në këmbim, Ukraina do të detyrohej të heqë dorë nga aspiratat për t’u anëtarësuar në NATO – një nga kërkesat kryesore të Moskës por do të lejohej të ndjekë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, plani parashikon që SHBA të njohë zyrtarisht aneksimin rus të Krimesë, një akt që shkel të drejtën ndërkombëtare dhe që deri më tani nuk është pranuar nga komuniteti ndërkombëtar.
Një tjetër pikë e kontestuar është mungesa e një garancie të qartë të sigurisë nga SHBA për Ukrainën. Në vend të saj, parashikohet vendosja e një force sigurie nga shtetet evropiane si masë parandaluese ndaj agresioneve të mëtejshme nga Rusia.
Plani gjithashtu përfshin transferimin e kontrollit të centralit bërthamor të Zaporizhzhias, aktualisht nën kontroll rus, në duart e një administrate amerikane, si dhe një marrëveshje për dhënien e të drejtave mbi burimet natyrore të Ukrainës për kompani amerikane.
Këto propozime janë duke u diskutuar sot në Londër nga përfaqësues të SHBA-së, Britanisë, vendeve evropiane dhe Ukrainës. Megjithëse Ukraina ka pranuar parimisht një armëpushim të menjëhershëm, zyrtarët ukrainas kanë theksuar se, sipas kushtetutës së vendit, asnjë qeveri nuk ka të drejtë të heqë dorë nga territori pa një referendum popullor i pamundur aktualisht për shkak të ligjit të luftës.
Presidenti rus Putin është shprehur i kënaqur me disa pjesë të planit, sidomos heqjen dorë nga NATO nga ana e Ukrainës, por nuk është e sigurt nëse ai do të pranojë të tërhiqet nga pjesët e propozuara në Kherson. Po ashtu, mungesa e garancive të forta nga SHBA e bën planin më pak tërheqës për Kievin dhe aleatët evropianë.
Ndërkohë, diplomatë evropianë kanë paralajmëruar se është e pamundur të arrihet një marrëveshje përfundimtare gjatë takimit në Londër, për shkak të ndarjeve të thella mbi pikat kyçe të planit.
I gjithë ky propozim vjen në një kohë kur presidenti Trump ka riformësuar qëndrimin e SHBA-së ndaj luftës në Ukrainë, duke kërkuar që konflikti të përfundojë sa më shpejt, edhe nëse kjo nënkupton kompromise të dhimbshme për Kievin. Sidoqoftë, shumë vende evropiane e shohin këtë qasje si të rrezikshme dhe të dëmshme për rendin ndërkombëtar dhe parimin e sovranitetit shtetëror.