María Corina Machado, udhëheqësja e opozitës venezueliane, ka deklaruar se do të dëshironte t’ia jepte “personalisht” Presidentit Donald Trump Çmimin Nobel për Paqen. Kjo deklaratë vjen pasi ajo e ka quajtur kapjen e diktatorit Nicolás Maduro një “ditë historike” për njerëzimin.
Ajo e ka lavdëruar Trumpin për arritjen e tij dhe ka theksuar se ai e meriton çmimin për veprimet që ka ndërmarrë për të mundësuar largimin e regjimit të Maduros.
Në një intervistë të dhënë për Sean Hannity të Fox News, Machado ka shpjeguar se, pas shpalljes së Çmimit Nobel për Paqen në tetor të vitit të kaluar, ajo ia dedikoi çmimin Trumpit, duke vlerësuar lëvizjet e tij si të pamundura për tu realizuar nga shumica e njerëzve. Ajo ka thënë se “3 janari” data e kapjes së Maduros do të mbahet mend si “dita kur drejtësia mundi tiraninë” dhe si një hap i madh për lirinë dhe dinjitetin njerëzor.
Machado, e cila ka qenë e fshehur nën regjimin e Maduros, ka shprehur se do të ishte një nder për të të jepte personalisht këtë çmim Trumpit. Ajo e quajti këtë një çmim të popullit venezuelian dhe ka theksuar se ky veprim është një hap i madh në drejtim të lirisë dhe të ardhmes për Venezuelën.
Në anën tjetër, Trump, kur është pyetur për mundësinë që ai të marrë këtë çmim, është shprehur se nuk është i sigurt nëse Machado ka “mbështetjen e duhur” nga populli i Venezuelës për të vazhduar luftën kundër regjimit të Maduros.
