Izraeli i ka përcjellë Shteteve të Bashkuara informacione të reja sipas të cilave Irani dyshohet se ka përgatitur një plan konkret për atentat ndaj presidentit amerikan Donald Trump, raportoi CNN, duke cituar burime të njohura me çështjen.

Sipas raportimit, paralajmërimi është bërë gjatë kësaj jave. Një burim tjetër tha se agjencitë amerikane të sigurisë kanë grumbulluar prej javësh të dhëna mbi kërcënime të mundshme ndaj Trumpit, por informacioni i ardhur nga Izraeli kishte të bënte me një komplot specifik, i cili nuk ishte raportuar më parë.

Autoritetet amerikane prej kohësh kanë paralajmëruar se Irani mund të kërkojë hakmarrje ndaj Trumpit për urdhrin që ai dha në vitin 2020 për eliminimin e gjeneralit iranian Qasem Soleimani në një sulm me dron në Irak.

I pyetur për raportimet, Shtëpia e Bardhë nuk i hodhi poshtë ato, por iu referua deklaratave që vetë Donald Trump bëri të mërkurën gjatë pjesëmarrjes në samitin e NATO-s.

“Ata duan të eliminojnë udhëheqësin amerikan – mua. Emri im është në listën e tyre. Këtë mëngjes pashë se ndodhem në të gjitha listat e tyre. Deri tani kam qenë me fat, por nuk e di sa do të zgjasë. Këta janë njerëz të rrezikshëm dhe të sëmurë. Ne duhet ta zhdukim këtë kancer. Kanceri duhet goditur që në fillim”, u shpreh Trump.

Ndërkohë, sipas The New York Times, presidenti amerikan u kthye nga samiti i NATO-s në Turqi me avionin e vjetër presidencial dhe jo me avionin e ri të ofruar nga Katari, për shkak të shqetësimeve që lidhen me sigurinë.