
Përhapja e pandemisë së koronavirusit ka kthyer botën mbrapa më shumë se dy dekada. Ky është përfundimi i një raporti vjetor të bërë nga Fondacioni Bill dhe Melinda Gates.
Dhjetëra miliona njerëz po përballen me pabarazi, sëmundje dhe varfëri, thotë studimi. Pandemia e koronavirusit ka bllokuar ekonominë në shumë vende të botës.
Sipas Bill Gates, ky vit është i zymtë. Covid-19 ka djegur shumë vite pune, më shumë familje janë në varfëri të madhe dhe kequshqyerja po rritet.
Rënia e turizmit, rënia e dërgesave nga të afërmit që punojnë jashtë vendit, mbyllja e porteve, minierave dhe puseve të naftës, mbyllja e shkollave dhe bizneseve në të gjithë botën kanë krijuar një humbje të madhe në ekonominë e të gjithë qytetarëve.
Në një intervistë për BBC, Gates është shprehur se vaksina ka të ngjarë të jetë gati në fillim të vitit 2021. Bill theksoi se çdo vaksinë duhet të bëhet gjithashtu e arritshme edhe për vendet e varfra.