Singapori ka miratuar një politikë të re disiplinore në shkolla, që lejon përdorimin e ndëshkimit fizik me shkop (“caning”) ndaj nxënësve mbi moshën 9-vjeçare në raste të konsideruara serioze.

Lajmi u konfirmua nga ministri i Arsimit, Desmond Lee, i cili deklaroi në parlament se masa do të përdoret vetëm si “mjet i fundit”, kur format e tjera disiplinore nuk japin rezultat.

Sipas autoriteteve, ndëshkimi fizik do të zbatohet në kuadër të strategjisë së re kundër bullizmit, e cila pritet të hyjë në fuqi në të gjitha shkollat e vendit nga viti 2027.

Ministri theksoi se procedurat do të jenë të kontrolluara dhe se çdo rast do të kërkojë miratim nga drejtori i shkollës, ndërsa ndëshkimi do të kryhet vetëm nga mësues të autorizuar.

Autoritetet arsimore argumentojnë se vendosja e kufijve të qartë dhe pasojave të forta ndihmon fëmijët të kuptojnë seriozitetin e sjelljeve të tyre dhe mund të ndikojë në uljen e rasteve të bullizmit.

Megjithatë, vendimi ka ngjallur debat ndërkombëtar, sidomos për ndikimin që ndëshkimi trupor mund të ketë në shëndetin mendor të fëmijëve.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar më herët se ndëshkimi fizik ndaj fëmijëve mund të shkaktojë pasoja afatgjata në shëndetin mendor, zhvillimin social dhe edukimin e tyre, duke kërkuar ndalimin e praktikës në shkolla.

Sipas udhëzimeve të publikuara nga Ministria e Arsimit e Singaporit, ndëshkimi me shkop do të aplikohet vetëm ndaj nxënësve meshkuj dhe vetëm për shkelje të rënda disiplinore.

Singapori njihet prej vitesh për ligjet dhe masat e ashpra disiplinore. Një nga rastet më të njohura mbetet ai i Michael Fay në vitin 1993, i cili u dënua me goditje me shkop për vandalizëm, duke shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare dhe tensione diplomatike me Shtetet e Bashkuara.