Mes dokumenteve të shumta të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë lidhur me çështjen e Jeffrey Epstein, është bërë publike edhe një fotografi që e shfaq atë në shoqërinë e Princi Andrew dhe Peter Mandelson.

Në imazh, Princi Andrew dhe Mandelson duken të veshur me rroba banje të bardha, ndërsa Epstein shfaqet me një këmishë të errët dhe pantallona të bardha. Të tre janë ulur rreth një tavoline druri në një verandë, ku përpara tyre shihen edhe gota me flamurin amerikan.

Dokumentet e publikuara nuk japin detaje të sakta mbi kohën dhe vendin kur është realizuar fotografia. Megjithatë, sipas disa raportimeve, dyshohet se ajo mund të jetë shkrepur në ishullin Martha’s Vineyard në shtetin e Massachusetts, një destinacion i njohur pushimesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Si Princi Andrew ashtu edhe Mandelson janë marrë në pyetje më herët në procese të ndara lidhur me marrëdhëniet e tyre me Epstein. Të dy kanë mohuar çdo përfshirje në veprime të paligjshme, ndërsa hetimet mbi çështjen kanë vijuar për vite me radhë.

Princi Andrew ka këmbëngulur vazhdimisht se nuk ka kryer asnjë shkelje në lidhje me Epstein. Nga ana tjetër, Mandelson ka deklaruar se fillimisht kishte besuar versionin e ngjarjeve të dhënë nga Epstein dhe avokati i tij, por se e kuptoi të vërtetën vetëm pas vdekjes së miliarderit në vitin 2019.

Lidhjet me Epstein sollën pasoja për të dy figurat publike: Princi Andrew u tërhoq nga detyrat mbretërore, ndërsa Mandelson dha dorëheqjen nga posti i ambasadorit vetëm disa muaj pas emërimit.