Shumica e qytetarëve në Spanjë e konsiderojnë Presidentin amerikan Donald Trump si kërcënimin më të madh për paqen globale, madje më shumë se Presidentin rus Vladimir Putin dhe Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Sipas një sondazhi të realizuar nga kompania 40dB për El País dhe Cadena SER, 81% e të anketuarve e shohin Trump si kërcënim për paqen botërore. Në krahasim, 79% kanë të njëjtin mendim për Putinin dhe 71% për Netanyahun.

Në listën e liderëve të tjerë globalë, perceptimi si kërcënim është më i ulët: 63% për liderin suprem iranian Mojtaba Khamenei, 62% për udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un dhe 49% për Presidentin kinez Xi Jinping.

Sondazhi tregon gjithashtu një klimë të fortë pasigurie për të ardhmen: rreth 70% e spanjollëve shprehen pesimistë. Pothuajse gjysma besojnë se bota do të bëhet më e dhunshme, më autoritare dhe më e pabarabartë, ndërsa të tjerë e shohin si të mundshme një luftë botërore dhe dobësimin e demokracisë në SHBA dhe Bashkimin Evropian.

Sa i përket politikave të mbrojtjes, opinioni publik në Spanjë mbetet i ndarë: 46.3% mbështesin rritjen e shpenzimeve ushtarake, ndërsa 45.3% janë kundër, me përkrahjen më të madhe që vjen nga votuesit e djathtë.

Megjithatë, pavarësisht dallimeve, ekziston një konsensus i gjerë për çështjet strategjike: shumica e qytetarëve mbështesin qëndrimin e vendit në NATO, vazhdimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën, kërkimin e zgjidhjeve përmes dialogut në Venezuelë dhe rritjen e presionit ndërkombëtar për një armëpushim në konfliktin izraelito-palestinez.