Danimarka ka vendosur të mbyllë përkohësisht ambasadën e saj në Teheran për arsye sigurie, ndërsa diplomatët danezë janë larguar tashmë nga Irani.

Lajmi u konfirmua nga ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen, i cili bëri të ditur se vendimi është marrë disa ditë më parë. Sipas tij, masa është ndërmarrë për shkak të situatës së sigurisë në rajon.

“Disa ditë më parë vendosëm të mbyllim përkohësisht ambasadën tonë në Iran”, deklaroi Rasmussen.

Ai theksoi se, pavarësisht mbylljes së përkohshme të ambasadës në Teheran, marrëdhëniet diplomatike me Iranin do të vijojnë të menaxhohen nga Kopenhageni.

Ministri danez sqaroi gjithashtu se vendimi është marrë në mënyrë të pavarur nga Danimarka dhe nuk përfaqëson një qëndrim të përbashkët të shumicës së vendeve evropiane.