A mund të dashurohet një njeri me një robot? Një studim i ri i realizuar nga TalkerResearch me 2,000 të rritur në Shtetet e Bashkuara tregon se gjithnjë e më shumë njerëz po krijojnë ndërveprime romantike me chatbot-et e inteligjencës artificiale.

Sipas anketës, 11% e të pyeturve pranuan se kanë zhvilluar biseda flirtuese ose romantike me platforma si ChatGPT, Claude dhe Gemini, ndërsa 12% thanë se një bisedë me inteligjencën artificiale i ka eksituar seksualisht.

Rezultatet tregojnë se fenomeni është shumë më i përhapur te të rinjtë. Më shumë se një e katërta e pjesëtarëve të Gjeneratës Z (27%) thanë se kanë zhvilluar biseda me përmbajtje romantike ose seksuale me një chatbot, ndërsa kjo shifër bie në 16% te Millennials, 9% te Gjenerata X dhe vetëm 2% te brezi i lindur pas Luftës së Dytë Botërore.

Studimi evidenton gjithashtu dallime mes gjinive. Burrat rezultojnë rreth dy herë më të prirur se gratë për të pasur ndërveprime romantike me inteligjencën artificiale.

Plot 15% e burrave thanë se kanë flirtuar me një chatbot, krahasuar me 8% të grave. Po ashtu, 17% e burrave deklaruan se këto biseda i kanë eksituar seksualisht, ndërsa te gratë kjo përqindje ishte 9%.

Por fenomeni ka hapur edhe një debat të ri: a mund të konsiderohet tradhti një marrëdhënie virtuale me inteligjencën artificiale? Sipas studimit, 24% e amerikanëve besojnë se flirti me një chatbot përbën tradhti në një lidhje.

Ky perceptim është edhe më i fortë te të rinjtë, ku 36% e pjesëtarëve të Gjeneratës Z thanë se krijimi i një marrëdhënieje romantike me inteligjencën artificiale do të ishte një arsye e mjaftueshme për t’i dhënë fund një marrëdhënieje.

Sipas autorëve të studimit, kjo prirje pritet të rritet në vitet e ardhshme. Plot 44% e amerikanëve besojnë se njerëzit do të krijojnë gjithnjë e më shumë lidhje emocionale të vërteta me inteligjencën artificiale, ndërsa 16% mendojnë se këto marrëdhënie do të bëhen shumë më të zakonshme në të ardhmen.