Një rast tronditës ka ndodhur në Mbretërinë e Bashkuar, ku një emigrant etiopian i dënuar për sulme seksuale ndaj dy grave u la gabimisht i lirë nga burgu dhe më pas u deportua në vendin e tij, Etiopi. Rasti ka shkaktuar një reagim të gjerë politik dhe ka çuar në vendosjen e kontrolleve më të rrepta në sistemin e burgjeve britanike.

Hadush Kebatu, i cili kishte kryer dy sulme seksuale – një ndaj një vajze 14-vjeçare dhe një tjetër ndaj një gruaje në qytetin Epping kishte qenë në burg pas këtyre veprave të rënda. Megjithatë, të premten, në vend që të transferohej në një qendër paraburgimi për t’u deportuar, ai u la gabimisht i lirë, dhe u identifikua nga një qytetar në rrugët e Londrës.Kryeministri britanik, Keir Starmer, reagoi menjëherë duke kërkuar largimin e Kebatu nga Britania dhe vendosjen e kontrolleve më të forta për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.

Pasi u bë e qartë se Kebatu ishte liruar gabimisht, autoritetet britanike u angazhuan të siguronin që ai të deportohej menjëherë në Etiopi, pa mundësinë për të rikthyer viza dhe pa të drejtë kthimi në Mbretërinë e Bashkuar. Autoritetet britanike kanë bërë të ditur se ky rast do të shërbejë si një paralajmërim për forcimin e masave të sigurisë dhe parandalimin e lirimeve të paplanifikuara.

Zyrtarët e sistemit të burgjeve e kanë cilësuar këtë incident si një “gabim të pafalshëm” dhe kanë nisur një hetim të plotë për të zbardhur rrethanat e lirimit të gabuar të Kebatu, duke vendosur gjithashtu masa të reja të sigurisë për çdo dalje nga burgu në të ardhmen.