Një ngjarje e rëndë ka tronditur Greqinë ditën e sotme, pasi dy vajza 17-vjeçare janë hedhur nga tarraca e një pallati 6-katësh në zonën e Ilioupolit, në Athinë. Si pasojë e rënies, njëra prej tyre humbi jetën në vend, ndërsa tjetra ndodhet në gjendje kritike në spital.
Sipas mediave greke, në tarracën e pallatit është gjetur çanta e njërës prej vajzave, brenda së cilës ndodhej edhe një letër ku ajo shpjegonte arsyet që e çuan drejt aktit tragjik. Burime nga policia bëjnë me dije se edhe vajza tjetër dyshohet se është hedhur bashkë me shoqen e saj, megjithatë deri tani nuk është gjetur ndonjë shënim prej saj. Mësohet se njëra nga adoleshentet jetonte në pallatin ku ndodhi ngjarja. Dy vajzat janë ngjitur së bashku në tarracë, ndërsa dera është gjetur e mbyllur me çelës. Hetuesit dyshojnë se ato e kanë kyçur vetë derën para se të kryenin aktin ekstrem.
Një biznesmen, i cili ndodhej pranë vendit të ngjarjes, ka përshkruar momentet dramatike që përjetoi.
“Dëgjova britma dhe më pas një zhurmë shumë të fortë. Ktheva kokën dhe pashë dy vajzat. Telefonova menjëherë ambulancën dhe policinë. Ambulanca mbërriti shumë shpejt, por deri sa erdhi, qëndrova pranë vajzës që ende merrte frymë dhe i flisja, duke u përpjekur t’i jepja forcë që të mos humbiste ndjenjat. Më pas zbriti një zonjë nga kati i parë, e cila iu afrua njërës prej vajzave dhe pa se ajo po merrte frymë. Pak më vonë erdhi edhe një djalë i ri, i cili tha se ishte vëllai i saj”, deklaroi ai, i tronditur nga ajo që kishte parë.
Sipas dëshmive të banorëve, pak para ngjarjes dy 17-vjeçaret kishin kërkuar nga administratorja e pallatit çelësat e tarracës.
“Shoqja ime i tha: ‘Janë aty ku i vendosim gjithmonë çelësat’. Ajo nuk arriti të bënte as pesë hapa dhe dëgjoi zhurmën e fortë, vajzat ishin hedhur nga tarraca. Si mund ta mendonte ajo pse i donin çelësat? Askush nuk mund ta parashikonte këtë ngjarje tragjike”, u shpreh dëshmitarja.
