Një 22-vjeçare me aftësi të kufizuara fizike dhe mendore u gjet e mbyllur brenda një kolibeje për qentë, në oborrin e një shtëpie në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një fqinj dëgjoi britmat e tmerruara dhe njoftoi policinë. Ngjarja ndodhi më 22 nëntor, ndërsa viktima kërkonte me ngulm ndihmë, duke thënë se kishte frikë dhe se kishte nevojë të shkonte në tualet.
Fqinji Justin Anderson, 24 vjeç, dëgjoi bërtitjet e vendosi të filmonte gjithçka, duke e kuptuar shpejt se bëhej fjalë për një situatë të rëndë. Pasi pa të renë të mbyllur në kafazin e mbyllur me kabllo metalike, ai thirri policinë, ndërsa vazhdoi ta qetësonte viktimën nga ana tjetër e gardhit.
Policia shkoi shpejt në vendngjarje dhe gjeti gruan brenda kafazit, e veshur vetëm me një bluzë dhe pantallona të holla, ndërsa temperaturat ishin të ulëta. Ajo u dërgua menjëherë në spital për kontroll mjekësor dhe më pas iu dorëzua një familjari. Kujdestarja e saj, 60-vjeçarja Kandice “Candy” Thompson, e njohur në komunitet për kujdesin ndaj shumë fëmijëve në vite dhe e veja e ish-shefit të policisë lokale, u arrestua dhe u akuzua për rrëmbim personi, keqtrajtim të personave me aftësi të kufizuara, ndalim të paligjshëm e rrezikim jete.
Sipas policisë, viktima ishte birësuar nga familja Thompson që në moshën dyvjeçare dhe kishte qenë e mbyllur në kafaz si “ndëshkim”. Dy të rritur të tjerë me aftësi të kufizuara u larguan gjithashtu nga shtëpia. Shefi i policisë, Daniel Graziose, e quajti rastin “tronditës për ndërgjegjen njerësore” dhe falënderoi fqinjët për reagimin e shpejtë. Ai theksoi se ndërhyrja e Anderson mund t’i ketë shpëtuar jetën viktimës, duke apeluar që komuniteti të reagojë sa herë dëgjon ose sheh diçka të dyshimtë.




