Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, ka bërë një deklaratë që ka ndezur polemika, duke e cilësuar Rripin e Gazës si një “minierë ari për pasuri të paluajtshme” dhe duke thënë se tashmë ka nisur bisedimet me Shtetet e Bashkuara për ndarjen e tokës pas luftës.
Sipas mediave izraelite, gjatë një konference mbi tregun e pasurive të paluajtshme në Tel Aviv, Smotrich u shpreh:
“Ka një bonanza të pasurive të paluajtshme në Gaza që vetëfinancohet. Kam nisur tashmë negociatat me amerikanët.”
Ai shtoi se “shkatërrimin dhe fazën e parë të rindërtimit e kemi bërë tashmë, tani duhet vetëm të ndërtojmë”, duke nënkuptuar se investimet e mëdha izraelite gjatë luftës duhet të kthehen në përfitime ekonomike.
Këto komente vijnë në një kohë kur lufta në Gaza vazhdon dhe situata humanitare në territorin palestinez është përshkallëzuar, duke ngjallur reagime të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar.